Trajneri i Barcelonës, Quique Setien ka pranuar se nuk do të ishte ndjenjë e mirë nëse klubit i tij shpallet kampion pa u luajtur pjesa e mbetur e stinorit në La Liga.
Stinori në La Liga aktualisht është i pezulluar shkaku i pandemisë së koronavirusit, ndërsa Barcelona po e kryeson renditjen me një epërsi prej dy pikëve nga Real Madridi, kur kanë mbetur edhe 11 xhiro deri në fund.
Është raportuar se ka gjasa që stinori në Spanjë të mos vazhdohet dhe Barcelona të shpallet kampione. Por, Setien nuk e sheh të përshtatshme këtë.
“Dëshira ime është që të luajmë dhe të bëhem kampionë duke luajtur, kjo është e qartë. Por, realiteti është si është. Nuk e di nëse do t’ia vlente të jepej titulli i kampionit apo jo. Por, unë nuk do të ndjehem si kampion edhe pse jemi dy pikë në epërsi ndaj Real Madridit. Kur erdha klubet kishin pikë të njëjta. Është një situatë shumë e vështirë për të gjithë”, ka thënë Setien për gazetën “Marca”.
La Liga ka përgatitur protokolle të veçanta për klubet për kthimin në stërvitje me synim që kampionati të rifillojë nga fundi i majit.
Protokolli është draftuar nga ekipet mjekësore nga tri klube të ligës dhe është dërguar te 42 klube në dy divizionet e para.
Ideja është që rikthimi në stërvitje të jetë gradual, duke rritur gradualisht numrin e lojtarëve që lejohen të stërvitin bashkë, derisa në fund të lejohen ushtrimet e përbashkëta të gjithë skuadrës si një grup.
Do të ketë testime të shpeshta për lojtarët për t’u përkujdesur që nuk janë të infektuar me koronavirus.
Klubet po ashtu janë këshilluar që të përcaktohen për hotele ku mund të vendosen në izolim gjatë periudhës përgatitore para rinisjes së stinorit.
La Liga ka njoftuar se në bisedime me UEFA-në janë ofruar tri data të mundshme për rinisjen – 28 maji, 6 qershori apo 28 qershori.
-
Busquets skeptik se mund të vazhdohet stinori në La Liga
-
Katër skenarët e mundshëm për stinorin në La Liga
-
Fundi i stinorit rrit presionin te trajnerët në Spanjë
-
Gara e jashtëzakonshme për titull në La Liga vazhdon me përballjet mes pretendentëve
-
Reali e Barcelona shijojnë pushimin në prag të Championsit