Futbolli spanjoll u godit brenda disa orësh pas një kthimi të përsosur që e pati gjatë pandemisë së koronavirusit. Divizioni i parë (La Liga) e përfundoi edicionin e vonuar Real Madridin duke fituar titullin e kampionit dhe niveli i dytë arriti në raundin e fundit të ndeshjeve pa telashe. Pas përfundimit të edicionit në divizionin e dytë do të mbeteshin vetëm ndeshjet e plejofit në një sezon që zgjati shumë pas një pushimi tremujor për shkak të pandemisë. Mirëpo kaosi e ka goditur divizionin e dytë pak para se të përfundonte sezoni i rregullt. Ishte ora 15:00 të hënën dhe kishin mbetur edhe katër orë deri para fillimit të ndeshjeve të xhiros së fundit, kur presidentit të ligës spanjolle, Javier Tebas, iu tha për një shpërthim të rasteve me koronavirus në klubin me qendër në Madrid, Fuenlabrada. Gjashtë lojtarë dhe dy anëtarë të stafit teknik të këtij klubi kishin rezultuar pozitivë pas testit për COVID-19.
“Këtu u ndërlikua situata”, pranoi Tebas të enjten për mediumet spanjolle. “Sipas protokolleve, ndeshje nuk mund të zhvillohej”.
Fuenlabrada, që luftonte për një vend në plejof, e kishte ndeshjen vendimtare kundër Deportivo La Corunas, ish-kampionit të Spanjës që po përballej me rënie në një kategori më poshtë. Lojtarët e Deportivos tashmë kishin mbërritur për ndeshjen në “Riazor Stadium”, kur dëgjuan lajmet për rastet pozitive tek ekipi kundërshtar, Fuenlabrada. Liga, federata e futbollit spanjoll dhe zyrtarët e qeverisë vendore kishin pak kohë për të marrë një vendim të ashpër: pezullimin vetëm të ndeshjes Deportivo-Fuenlabrada ose të gjithë xhiron e fundit. Të gjitha ndeshjet ishin planifikuar të luheshin në të njëjtën kohë, kështu që askush nuk do të merrte një avantazh të padrejtë. Por shtyrja e të gjitha ndeshjeve përtej fundit të pritshëm të sezonit do të shtonte rrezikun që disa lojtarë të kishin telashe me përgatitjen fizike dhe do të rrisnin mundësinë e më shumë shpërthimeve të koronavirusit në mesin e skuadrave.
“Nëse këto ndeshje do të luheshin brenda dhjetë ditësh, cilat do të ishin kushtet e lojtarëve? Ata kishin menduar të shkonin në pushime”, pranoi Tebas. “Ne gjithashtu do të kishim rrezik sanitar. Ndoshta, këto ndeshje as nuk do të luheshin më vonë”.
Kështu që, vendimi për të pezulluar vetëm ndeshjen e prekur nga shpërthimi i koronavirusit, tërhoqi një valë kritikash - dhe kërcënime me padi - nga klubet që insistonin se integriteti i konkurrencës ishte dëmtuar. Liga papritmas u gjend në një pozitë të vështirë. Deportivo, që përfundoi duke rënë nga divizioni i dytë për shkak të një kombinimi të rezultateve në raundin e fundit, kërkoi që të gjitha ndeshjet të përsëriteshin, ashtu si edhe klubet e tjera që mendonin se ishin lënduar nga vendimi.
Liga tha që ato nuk duhej të luheshin përsëri, por mund të varen nga gjykatat sportive që të vendosin përfundimisht se kush do të promovohet ose largohet. Ndeshjet e plejofit për ngritje në La Liga tashmë janë vonuar derisa mund të riplanifikohet dueli mes Deportivos dhe Fuenlabradas. Tebas tha se ishte pikërisht për shkak të mundësisë së problemeve si kjo që liga u përpoq ta përfundonte sezonin sa më shpejt që të ishte e mundur, duke luajtur ndeshje për çdo ditë pasi rifilloi me garat pas pushimit. Liga italiane, për shembull, preferoi të përhapë ndeshjet e saj për një periudhë më të gjatë, duke përfunduar më afër rifillimit të garave evropiane në gusht.
Edhe
Shtyhet edhe ndeshja Valencia – Real Madrid
“Duhet të kujtojmë se kemi pasur më shumë se 200 ndeshje, mijëra seanca stërvitore dhe qindra udhëtime të ekipeve”, insistoi Tebas. “Kishte mundësi që diçka të mund të ndodhte. Ne rezervuam gati tri javë në mënyrë që të përpiqeshim të rikuperoheshim nëse diçka e tillë do të ndodhte”.
Tebas tha se shqetësimet u rritën javët e fundit pas një numri të madh të çështjeve me koronavirus në Spanjë, por ligat i kishin paralajmëruar klubet për nevojën për të qëndruar në gatishmëri të lartë. Ai tha se do të hetojë nëse Fuenlabrada theu protokollet e sigurisë së shëndetit të ligës që kishin qenë në vend për të siguruar që konkurrenca të mbaronte pa probleme. Këshilli sportiv i Spanjës tashmë ka lëshuar një deklaratë në të cilën vlerësoi suksesin e kthimit të futbollit, por gjithashtu shprehu shqetësimin e tij për atë që ndodhi me Fuenlabradan. Ai akuzoi ligën dhe klubin për shkak se nuk kanë ndjekur protokollet pasi skuadra nuk duhej të kishte udhëtuar për ndeshjen pasi disa lojtarë kishin testuar pozitivisht në fundjavë. Madje, Këshilli Sportiv shtoi që liga dhe klubi duhet të kishin njoftuar menjëherë autoritetet shëndetësore për rastet me COVID-19.