Sport

Napoli ka gjetur sulmuesin e kompletuar dhe modern, Osimhenin

Gjatësi. Shpejtësi. Aftësi. Gatishmëria për të ndihmuar edhe në mbrojtje.

Victor Osimhen posedon të gjithë përbërësit e një sulmuesi të ditëve të sotme dhe 22-vjeçari nga Nigeria ka luajtur një rol të madh në startin e përsosur të skuadrës së Napolit në Serie A. Me pesë gola në tri ndeshjet e tij të fundit, përfshirë golin e tij të vonshëm për t’ia siguruar Napolit barazimin 2:2 në Leicester në Ligën e Evropës, Osimhen po tregon pse ekipi italian pagoi një tarifë rekorde për transferimin e tij vitin e kaluar nga Lille. Për kartonin e nigerianit Napoli pagoi 70 milionë euro.

“Ai e di se si t'i bëjë të gjitha”, tha ish-sulmuesi i Napolit, Careca, i cili ishte bashkëlojtar me Diego Maradonan, kur klubi jugor fitoi titullin e fundit nga dy titujt e tij në Serie A në vitin 1990. “Ai lëviz mirë, mund të lërë hapësirë për shokët e tij të skuadrës dhe të futet në zonë papritmas. Ai edhe kur vrapimi lë prapa mbrojtësin e kanë të pamundur ta kapin. Me një fjalë, është sulmues modern për të cilin Napoli ka pasur nevojë”.

Osimhen, që është i gjatë 190 centimetra, e tregoi potencialin e tij sezonin e kaluar me gjithë problemet e shumta fizike që i pati. Ai theu shpatullën derisa ishte në grumbullim me Përfaqësuesen e Nigerisë në nëntor, rezultoi pozitiv me koronavirus në janar dhe në muajin shkurt ishte viktimë e traumës të kafkës që e pësoi gjatë ndeshjes kundër Atalantas. Megjithatë, Osimhen shënoi dhjetë gola në 24 ndeshje të luajtura edicionin e shkuar, i cili ishte i pari me fanellën e Napolit.

Osimhen gjithashtu pati një fillim të ashpër këtë sezon, kur ai u përjashtua me karton të kuq në ndeshjen e parë të Napolit kundër Venezias, pasi e shtyu me zemërim një mbrojtës kundërshtar.

Mirëpo të enjten mbrëma, në ndeshjen në udhëtim ndaj Sampdorias, ai shënoi dy gola dhe gati shënoi edhe dy të tjerë, në fitoren e thellë të Napolit me rezultatin 4:0.

“Ai punon shumë në gjithçka që bën”, tha trajneri i ri i Napolit, Luciano Spalletti. “Sampdoria na sulmoi që në fillim, por kjo la boshllëqe të mëdha prapa mbrojtjes së tyre, dhe në ato situata Osimhen është shkatërrues. Kur loja e Napolit nuk shkon mirë, atëherë mbështetemi tek Osimheni, i cili besoj se do të shkëlqejë këtë sezon. Ai është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm në ekipin tonë”.

Në muajin prill të këtij viti, Osimhen gjithashtu tregoi anën e tij humane kur bëri një apel në mediat sociale për ta vënë atë në kontakt me një grua me një këmbë që ishte fotografuar duke shitur ujë në rrugët e qytetit të tij, Lagos në Nigeri.

“Më dhemb të shoh kështu”, tha Osimhen kur foli me gruan një ditë më vonë. “Unë jam këtu për t'ju ndihmuar”.

E të dielën Osimhen pritet të ndihmojë Napolin duke shënuar më shumë gola kundër një skuadre pa fitore këtë edicion në Serie A, Cagliarit. Sulmuesi nigerian po synon ta udhëheqë Napolin drejt titullit të kampionit në Itali, të cilin nuk e ka fituar për më shumë se tri dekada. Ai është i vendosur ta ndihmojë Napolin në të gjitha mënyrat. Napoli është lider në Serie A me 15 pikë të mbledhura dhe është ekipi i vetëm që i ka fituar të gjitha ndeshjet deri më tani në kampionatin italian.

“Synimi është ta mbajmë këtë pozitë deri në fund të sezonit dhe unë do të mundohem të kontribuoj në të gjitha mënyrat. Jam i kënaqur me startin tim, por mundem edhe më mirë pasi vazhdimisht po punoj që të përmirësohem”, paralajmëroi Osimhen, i cili ka kontratë me Napolin deri në vitin 2025.