Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nagelsmann kompleton rritjen meteorike me kthimin në Munich

Në moshën 33-vjeçare, Julian Nagelsmann po kthehet në Munich, qytetin ku karriera e tij e futbollit bëri një fillim të përulur dhe të dhimbshëm. Ai po kthehet për ta marrë drejtimin e klubit që është në kulmin e futbollit evropian.

Nagelsmann do të ketë mision të vështirë për të arritur, kur ta marrë detyrën e trajnerit në Bayern Munich këtë verë. Ai po zëvendëson Hansi Flickun, i cili është në prag të një titulli tjetër në Bundesligë pasi udhëhoqi Bayernin drejt një suksesi të paparë me triumf në Ligën e Kampionëve, Bundesligë, Kupën e Gjermanisë, Superkupën e Gjermanisë, Superkupën e Evropës dhe Botërorin e Klubeve. Gjithë këto gara i fitoi midis korrikut të vitit të kaluar dhe shkurtit të këtij viti.

Marrëveshja me Bayernin kompleton një rritje meteorike për Nagelsmannin, i cili do të mbushë 34 vjet në muajin korrik, kur do të nisë stërvitjet me skuadrën e re. Ai është më i ri se kapiteni dhe portieri i Bayernit, Manuel Neuer.

Kur Nagelsmann mori punën e parë si trajner në Hoffenheim në shkurt të vitit 2016, ai me 28 vjet u bë trajneri më i ri i përhershëm i një ekipi të nivelit të lartë në një ligë të madhe evropiane.

Klubi ishte i 17-i në Bundesligë, shtatë pikë larg sigurimit të mbetjes në ligë edhe për sezonin tjetër. Edhe pse Nagelsmann kishte udhëhequr ekipin e të rinjve të Hoffenheimit (U19) drejt titullit gjerman në vitin 2014, vendimi i krerëve të klubit për ta angazhuar si trajner të ekipit të parë, u prit me mosbesim të madh nga mediat gjermane.

Edhe Nageslmann pritet ta marrë drejtimin e Gjermanisë Sport Nageslmann pritet ta marrë drejtimin e Gjermanisë

“Një ide e çmendur”, “Një marifet për marrëdhëniet me publikun”, ishin vetëm disa nga titujt që paraqitën emërimin e tij. “Der Spiegel” raportoi se portieri i Hoffenheimit, Tim Wiese i kishte vënë nofkën Nagelsmannit, “Mini-Mourinho” për stërvitjet e tij të përpikta.

Nagelsmann e shpëtoi Hoffenheimin nga rënia, i udhëhoqi ata drejt vendit të katërt në edicionin e tij të parë të plotë si trajner dhe pastaj i dërgoi në vendin e tretë në edicionin vijues. Kjo e lejoi atë të bëhej në moshën 31 vjeçare trajneri më i ri i një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve.

Në vitin 2019, Nagelsmann u transferua te RB Leipzigu dhe drejtoi klubin e mbështetur nga “Red Bulli” drejt vendit të tretë në Bundesligë si dhe drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve. Leipzigu është në rrugë të mirë për të dalë nënkampion i Bundesligës, rezultat ky që do të ishte më i miri në histori të klubit. Gjithashtu, Leipzigu këtë sezon luajti edhe në Ligën e Kampionëve, por që u eliminua në çerekfinale. Ky sukses e ka bërë Nagelsmannin një person të pëlqyer dhe të kërkuar në mbarë Evropën. Para se ai të pranonte të bashkohej me Bayernin, mediat e kishin lidhur me klubet kryesore të Premier Leagues si dhe me Barcelonën.

Emri i Nagelsmann kishte qenë i lidhur me Bayernin më parë.

Klubi gjigant thuhet se u përpoq ta rekrutonte Nagelsmannin për të drejtuar ekipet e të rinjve pas suksesit të tij me Hoffenheimin U19. Mirëpo ai refuzoi pasi kishte synime më të mëdha.

Nagelsmann lindi në Landsberg am Lech, një qytet bavarez, 60 kilometra larg Munichut. Ai është i gjatë 190 centimetra dhe shumë imponues. Si një mbrojtës adoleshent, ai ishte për pak kohë në klubin lokal Augsburg para se të kalonte te rivali i Bayernit, Munich 1860. Lëndimi e parandaloi të bënte paraqitje për ekipin e parë dhe ai u kthye te Augsburgu ku u pensionua në moshën 20 vjeçe pas një dëmtimi të ligamentit të gjurit.

Edhe Nagelsmann dëshiron më shumë trofe te Bayerni Sport Nagelsmann dëshiron më shumë trofe te Bayerni

“Ju mund të luani me këtë lëndim edhe nëse nuk është pa dhimbje”, u tha ai mediumeve gjermane. “Dhe do të më duhej një gju artificial në moshën 40-vjeçare”.

Thomas Tuchel, tani trajneri i Chelseat, ishte trajneri i ekipit rezervë tek Augsburgu dhe i kërkoi Nagelsmannit të ri të skautonte kundërshtarët.

“Ai ishte gjithmonë shumë kureshtar dhe jo i lehtë për t’u trajtuar”, tha Tuchel për “Der Spiegel” në vitin 2015.

Nagelsmann ka thënë vazhdimisht se i ka borxh të madh Tuchelit.

“Unë jam shumë mirënjohës ndaj tij që më dha idenë për t'u bërë trajner”, ka pranuar Nagelsmann. “Por ai nuk ishte babai im birësues, marrëdhënia jonë ishte shumë pragmatike”.

Pas një pushimi për të shkuar në Universitet, Nagelsmann u bashkua me Hoffenheimin si ndihmëstrajner në vitin 2012. Ashtu si Tucheli, Nagelsmann përdor presionin e lartë dhe lojën me tranzicion ultra të shpejtë, e cila është e popullarizuar në Gjermani. Kjo do të thotë që lojtarët e Bayernit nuk duhet të çorientohen shumë, edhe nëse Nagelsmann me fiksimin e tij me detajet taktike, është ndoshta më afër metodës së trajnerëve Tuchel-Pep Guardiola sesa Hansi Flick, i cili favorizon një liri më të madhe në fushë. Megjithatë, Nagelsmann, i cili do të jetë trajneri i katërt i përhershëm i Bayernit që kur Guardiola u largua në qershor të vitit 2016, do të duhet të përshtatet pasi përballet me dy nga sfidat me të cilat përballen trajnerët e Bayernit: presionin e vazhdueshëm për sukses dhe egot e një skuadre yjesh.

Edhe Bayerni kërkon ta kompletojë dekadën e dominimit në Bundesligë Sport Bayerni kërkon ta kompletojë dekadën e dominimit në Bundesligë

Carlo Ancelotti i shkarkuar në vitin 2017 pas 15 muajsh dhe Niko Kovaq, i pushuar nga puna në vitin 2019 pas 16 muajsh, u dëbuan pavarësisht fitimit të titujve në Bundesligë, pasi humbën besimin në zhveshtore, ku veteranët tradicionalisht kanë përkrahjen e ish-yjeve, Karl-Heinz Rummenigge, Oliver Kahn dhe Uli Hoeness, të cilët drejtojnë klubin.

Përktheu: T.S.