Gauthier Mvumbi nuk u vlerësua si yll para Kampionatit Botëror të meshkujve në hendboll që ishte mbajtur në Egjipt në vitin 2021.
Por me 195 centimetra gjatësi dhe me peshë 137 kilogramë, mbrojtjet kundërshtare e patën shumë të vështirë ta ndalin pivotin e Kongos, që më pas mori nofkën “Shaquille O’Neal i Hendbollit”.
Në paraqitjen e tij të parë me shtetin në skenën globale, Mvumbi shënoi 13 gola nga 14 tentime – përfshirë katër nga pesë tentime kundër Danimarkës që në fund e fitoi turneun. Kongo zuri vendin e 28-të nga 32 ekipet pjesëmarrëse të asaj gare.
Arritja e tij madje mori edhe vëmendjen e vetë O’Nealit dhe kjo dyshe kishte nisur kontaktet para se të takoheshin përfundimisht muajin e kaluar në New York.
Më i suksesshëm me sponsorë sesa në sport
Para turneut, lojtari që u lind në Francë kishte luajtur në Nationale 2 (N2) – rangun e katërt të hendbollit francez – për ekipin e qytetit të tij, Dreux AC.
Pavarësisht ofertave për të luajtur në Spanjë, Gjermani dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, Mvumbi kaloi te skuadra Pouzauges Vendee HB e Nationale 1, para se të transferohej në Entente Territoire Charente Handball (ETEC), përsëri në N2.
Ai i tha “Le Quotidien du Sport” se ishte i joshur nga oferta e ETEC-së që kërkonte ngjitjen në N1 dhe tha: “Është më interesant të luash për t’u ngjitur”.
Kur u pyet pse nuk ka përfunduar te ndonjë skuadër e ligave elitare të hendbollit të Francës, në Starligue apo Proligue, ai tha: “Për një lojtar si unë, tregu i hendbollit është thuajse i mbyllur. Unë jam pivot që luaj në sulm dhe mbrojtja nuk është pika ime e fortë. Sot, me hendbollin kaq të shpejtë, ka rrezik që skuadra të pranojë gol nëse trajneri më përdor mua në formacion. Unë mund të luaj në D1 (Starligue) apo në D2 (Proligue), por nuk i përmbush të gjitha kërkesat”.
Mvumbi ka kujtime të mira nga Botërori i vitit 2021.
“Ma ka ndryshuar jetën! Kam provuar gjëra të cilat nuk i kisha përjetuar kurrë. Zhgënjimi është se nuk mund të kualifikohem përsëri në korrik për Kampionatin Botëror me Kongon. Na janë dashur një apo dy gola. Kemi humbur në vazhdime nga Tunizia dhe më pas në penallti nga Algjeria... kështu që është dëshpëruese që nuk jemi atje”.
Përderisa ai ia del të jetojë nga hendbolli, jeta jashtë palestrave është ngritur me të vërtetë.
Mvumbi e pranon se ka qenë “më i suksesshëm me sponsorë sesa në sport”, që nga shfaqja e tij në Kupën e Botës. Ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me kompaninë e veshmbathjeve japoneze, Mizuno.
Ai e ka edhe linjën e tij të brendit të mbathjeve “Shaq of Handball”, ndërsa në Egjipt e ka një tjetër nofkë “El Gigante”.
Dyshja që nisi kontaktet gjatë Botërorit 2021 është duke punuar së bashku për të gjetur investitorë për ligën e hendbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tashmë ambasador për klubin e hendbollit Detroit, Mvumbi po punon me O’Nealin për klubin e hendbollit New York, për ta promovuar këtë sport para Lojërave Olimpike “Los Angeles 2028”.
Takimi i vërtetë
“Ajo që më ka ngelur në kokë ishte kur hyra në lokal: Ai u ngrit për të më pritur mua, më dha një përqafim dhe tha: ‘Më në fund, e mbajte fjalën. Erdhe të më shohësh. Jam i lumtur’. Është Shaq! Ai u tregua shumë i dashur. Por ishte kaq i madh. Koka ime ishte deri te shpatulla e tij”, ka thënë Mvumbi për “L’Equipe”, transmeton RMC Sport.
Më herët, Mvumbi kishte thënë se ai është në proces të krijimit të një dokumentari për jetën e tij, në të cilën do të shihet edhe takimi me O’Nealin.
Ai nuk ka treguar për detaje të tjera në bisedat dhe planet që kanë pasur, por ka thënë se e duan shumë njëri-tjetrin dhe se llogariten si vëllezër.
O’Neal ia kishte dhuruar Mvumbit xhaketën e tij, e cila natyrisht ishte shumë e madhe.
Sidoqoftë, “Dy Shaquilleat” po bëjnë punë të madhe për ta bërë hendbollin e madh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.