Sport

Muriqi realizon synimet e Mallorcas, por kërkon më shumë gola deri në fund

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, edhe një herë ka treguar se sa i rëndësishëm është për skuadrën e Mallorcas. 29-vjeçari ia siguroi Mallorcas mbetjen në La Liga edhe për edicionin e ardhshëm, ndonëse deri në fund të këtij edicioni kanë mbetur edhe dy xhiro.

Ai shënoi golin e vetëm në fitoren e Mallorcas (1:0) në shtëpi ndaj Valencias të enjten mbrëma në kuadër të xhiros së 36-të të kampionatit spanjoll. Me këtë fitore Mallorca është ngritur në pozitën e 11-të në tabelë me 47 pikë dhe tashmë e ka të sigurt paraqitjen në La Liga edhe edicionin e ardhshëm. Për Muriqin ishte goli i 14-të në 33 ndeshje kampionale, ndërsa ka edhe 3 asistime. Është barazuar me gola me Antoine Griezmannin (Atletico Madrid) dhe Enes Unalin (Getafe), por prizrenasi synon edhe më shumë.

Ai dëshiron që edicionin ta mbyllë me më shumë se 14 gola dhe në dy ndeshjet e fundit synon ta rrisë shifrën. Më shumë gola se Muriqi në kampionat kanë vetëm tre futbollistë – Robert Lewandowski (23), Karim Benzema (18) e Joselu (16). Aktualisht ai është në mesin e pesë golashënuesve më të mirë të La Ligas, ndërsa një lojtar te Mallorca ka kohë që nuk e ka arritur shifrën e 14 golave brenda një edicioni.

“I kam 14 gola, por dua të kem më shumë. Synimi im është që gjithmonë të shënoj gola. Nëse e bëj një gjë të tillë atëherë jam i lumtur. I kemi edhe dy ndeshje deri në fund dhe do të shoh nëse mund të shënoj më shumë gola. Do të përpiqem”, është shprehur Muriqi.

Pesë prej 14 golave Muriqi i ka shënuar me goditje me kokë. Mallorca është veçuar këtë edicion për golat me kokë. Është skuadra me më së shumti gola me kokë në La Liga, 12.

Muriqi këtë edicion i ka 15 gola dhe 4 asistime në të gjitha garat, ndërsa është bërë vetëm futbollisti i tretë në histori të klubit që ka arritur shifrën e 14 golave në kampionat. Është pas Samuel Eto’os dhe Dani Guizas. Eto’o në edicionin 2003/04 pati realizuar 17 gola, ndërsa Guiza mban rekordin me 27 gola të realizuar në edicionin 2007/08.

“Unë jam i kënaqur me paraqitjet këtë edicion, por edhe paraqitjet e ekipit. Në përgjithësi ka qenë një edicion i mirë pasi tashmë edhe përfundimisht e kemi siguruar mbetjen në La Liga dhe në këtë arritje kam kontribuar me 14 gola”, është shprehur Muriqi. “Është kënaqësi për mua ta ndihmoj ekipin të fitojë dhe ta kem dashurinë e tifozëve. Nuk po bëj asgjë speciale për të qenë kaq i mirë, por vetëm po e kryej punën time. Unë po e tregoj atë që e kam brenda vetes, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Jam i lumtur dhe shpresoj të vazhdoj kështu edhe për shumë vjet të tjerë”.