Mediumi spanjoll, “Ultima Hora”, i ka kushtuar një tjetër shkrim sulmuesit kosovar të Mallorcas, Vedat Muriqi.
“Dy hapa nga shndërrimi në legjendë”, ka shkruar ndër të tjera ky medium për Muriqin.
Ylli i Kosovës tani i ka 52 gola në 135 paraqitje për Mallorcan në La Liga. Kjo seri golash ka nisur në shkurt të vitit 2022, pas transferimit nga Lazio.
“Sulmuesi ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës në çdo edicion që e ka luajtur për Mallorcan. Dhe është në rrugë që të bëhet golashënuesi më i mirë i skuadrës në La Liga. Tashmë e ka kaluar Victor Casadesusin dhe Juan Arangon. I ka mbetur ta kalojë vetëm edhe Samuel Eto’on që kishte shënuar 54 gola në 133 paraqitje. Shifrat e Muriqit prej fillimit të edicionit janë po ashtu histori në vete. Ndonëse Mallorca po vuan për muaj të tërë dhe është në zonën e rrezikshme pas 27 xhirove, sulmuesi kryesor i saj është në ‘forcë të plotë’. 18 golat e reprezentuesit të Kosovës janë shifra e tretë më e lartë e një lojtari të Mallorcas në një edicion të vetëm. Ai tashmë ka kaluar rekordin e Eto’os prej 17 golash në edicionin 2003/04. Ka barazuar rekordin e Tristanit nga edicioni 1999/00, ndërsa është vetëm prapa Enrique Magdalenos nga edicioni 1986/87 (19 gola) dhe prapa 27 golave të Dani Guizas në edicionin 2007/08”, ka shkruar tutje “Ultima Hora”.
Megjithatë Muriqi ka edhe shumë ndeshje për të shënuar gola të tjerë dhe për të ndihmuar Mallorcan të largohet nga zona e rënies.
Në edicionin në të cilin paraqitja e shumicës së lojtarëve të Mallorca ishte nën nivelin e pritur, Muriqi ka riafirmuar veten si lojtari i vetëm i domosdoshëm i skuadrës.
Edhe
Edicioni i ëndrrave i Muriqit rrezikon të kthehet në dështim për Mallorcan
31-vjeçari i ka shënuar 58 për qind të golave të Mallorcas në kampionat, përkatësisht 18 nga 31. Dhe kjo përqindje sa shkon e rritet. Për më tepër, Muriqi i vetëm ka më shumë gola se e gjithë skuadra e Real Oviedos, që ka 16. Kylian Mbappe i Real Madridit është para Muriqit. Superylli francez i ka 23 gola. Në pjesën e dytë të kampionatit Muriqi është golashënuesi më i mirë i La Ligas, së bashku me Lamine Yamalin dhe Ante Budimirin me nga shtatë gola.
Derisa ndaj Osasunas i ka katër gola në dy ndeshje këtë edicion, Muriqi të dielën përballet me ekipin e pëlqyer. Ndaj Espanyolit ai ka mesatare prej një goli për ndeshje. Ndaj kësaj skuadre i shënoi dy gola në shtator. Vetëm ndaj Rayo Vallecanos ka shënuar më shumë gola.
“Mallorcas i duhet sulmuesi nga Ballkani për të shpërthyer mbrojtjet rivale dhe për të rritur numrin e golave në mënyrë që të sigurojë pikët për mbetje në elitë”, shkruan “Ultima Hora” ndër të tjera.