Sport

Muriq me mbrojtjen më të rëndësishme të edicionit

Arijanet Muriq ka qenë vendimtar të enjten pasdite te Willem II. Në kuadër të xhiros së parafundit të kampionatit holandez, Eredivisie, Willem II fitoi 4:1 në udhëtim ndaj Ado Den Haag.

Pas xhiros së 33-të, Willem II është në vend të 15-të me 28 pikë. Emmeni është i 16-ti me 27 pikë, ndërsa në dy pozitat e fundit janë VVV-Venlo me 23 pikë dhe Den Haag me 22 pikë.

Humbja e së enjtes ka bërë që Den Haag të bjerë nga elita, ndërsa Willem II mori fitore vendimtare në garë për mbetje në elitë.

Willem II kishte epërsi 2:0 kur në minutën e 38-të u akordua penallti për Den Haag, pas konsultimit të sistemit VAR nga arbitri. Por portieri i Kosovës, Arijanet Muriq bëri pritje vendimtare. Ndali penalltinë e Abdenasser El Kahyati.

Më pas u shënuan edhe gola të tjerë, ndërsa Willem II fitoi 4:1. Arijanet Muriq dhe Lindon Selahi u ndëshkuan me kartona të verdhë te Willem II.

“Portieri Aro Muriq, që është kritikuar rregullisht te Willem II, ka treguar vlerat me pritjen më të rëndësishme të edicionit”, ka shkruar një medium holandez për pritjen e Muriqit.