Atalanta e ka fituar ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Ligën e Evropës. Të enjten mbrëma në Bergamo, Atalanta fitoi 3:2 ndaj skuadrës gjermane, Bayer Leverkusen.
Ishin sulmuesit Luis Muriel e Ruslan Malinovsky që siguruan fitoren e skuadrës italiane. Muriel asistoi në golin e parë, ndërsa shënoi golin e dytë dhe të tretë. Ndërkohë ukrainasi Malinovsky shënoi golin e parë dhe asistoi në dy të tjerët.
Charles Aranguiz dhe Moussa Diaby shënuan golat për Leverkusenin.
Mbrojtësi Berat Gjimshiti luajti deri në minutën e 69-të për Atalantan. Ndeshja e kthimit luhet më 17 mars në Leverkusen.