Trajneri i skuadrës së Prishtinës, Ismet Munishi, është ndarë i kënaqur që e ka përfunduar stinorin vjeshtor në vendin e tretë.
Prishtina të shtunën barazoi me Ballkanin në Suharekë 1:1. Nga ky barazim përfitoi Drita, që pavarësisht pikëve të barabarta pas 18 ndeshjeve me Ballkanin, me nga 38 gjithsej, ka dalë kampion vjeshtor. Prishtina ka 27 pikë.
“Realisht ne i dimë kualitetet e Ballkanit. Në çdo ndeshje shkojmë për fitore. Jemi Prishtina. Isha i kënaqur me angazhimin e lojtarëve. Ishin disa episode në këtë ndeshje. E kishim përgatitur takimin shumë mirë, ndërsa golin e morëm prej pakujdesisë. Më pas u desh të luanim ndryshe, por jam i kënaqur. Mendoj që epilogu reali shte barazimi. Ndoshta po të kishim shënuar gol më herët, do të mund ta përmbysnim ndeshjen sepse kishim epërsinë numerike të lojtarëve. Të paktën, sot “Intelektualët” dhe Drita bën tifo për mua”, tha Munishi pas ndeshjes.
“Ballkani mbrohej mirë. Krijuam disa raste. I kishim dy raste të qindpërqindta. Ishte ndeshje e mirë edhe për tifozët. Vendi i tretë është arritje e mirë. Ne dihet se kemi bërë ndryshime dhe jemi riorganizuar, jemi në ujëra të qetë. Tani duhet të shikojmë ndonjë futbollist cilësor, një apo dy, për ta rritur konkurrencën. Kemi nxjerrë disa lojtarë të mirë. Sido që të jetë, është duke u bërë punë e mirë te Prishtina, një organizim i mirë. Jemi duke u stabilizuar si klub, kjo është me rëndësi. E kur stabilizohet Prishtina, klubet tjera frikësohen. Është klubi më i madh, më i trofeshëm”, theksoi Munishi.