Boksierja Donjeta Sadiku premtoi edhe medalje të tjera pas asaj të bronztës, që e fitoi muajin e shkuar në Kampionatin Botëror që u mbajt në Stamboll të Turqisë. E një medalje tjetër, Sadiku që bokson në kategorinë deri 60 kilogramë, kishte gjasa ta fitonte edhe në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”, që nisin më 25 qershor dhe përfundojnë më 6 korrik në Algjeri.
Në fakt, Sadiku ishte shpresa më e madhe në Federatën e Boksit të Kosovës (FBOXK) për medalje në këtë ngjarje. Ajo edhe i printe ekipit të boksit që përbëhej prej pesë boksierëve, në mesin e të cilëve ishin edhe Bashkim Bajoku (-52 kg), Shpëtim Bajoku (-63 kg), Patriot Behrami (-69 kg) e Lorent Murati (-57 kg). Edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) prisnin medalje në boks nga Sadiku kur publikuan listën prej 40 sportistëve në fillim këtij muaji, që do të merrnin pjesë në Lojërat Mesdhetare.
“Boksin do ta përfaqësojnë pesë garues, ndërsa veçohet pjesëmarrja e Donjeta Sadikut, e cila muajin e kaluar fitoi medaljen e bronztë të botës”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e KOK-ut.
Megjithatë, të mërkurën, dhjetë ditë para fillimit të Lojërave Mesdhetare, KOK-u dha një njoftim tjetër, që këtë herë nuk ishte aspak i mirë. U bë e ditur se Sadiku nuk do të marrë pjesë në këtë ngjarje për shkak të lëndimit. Kështu që, synimi i boksieres kosovare për një medalje tjetër brenda një periudhe të shkurtër u shua. Në mungesë të Sadikut, ekipi mesdhetar i Kosovës tani do të përbëhet prej 39 sportistëve, 16 trajnerëve e tre gjyqtarëve.
“Boksierja, Donjeta Sadiku, e cila fitoi muajin e kaluar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të boksit, të mbajtur në Stamboll të Turqisë, nuk do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare ‘Oran 2022’. Sadiku ka pësuar një lëndim në dorë gjatë përgatitjeve, për çka e ka të ndaluar të garojë për të paktën një muaj. Krahas Donjetës, në Oran nuk do të udhëtojë as përzgjedhësi i femrave në boks, Faton Xhakli”, ka shkruar KOK-u.
Në FBOX nuk e kanë pritur mirë mungesën e Sadikut në Lojërat Mesdhetare dhe kanë pranuar se mosprania e saj në këtë ngjarje zbeh gjasat për medalje. Sadikut i është rekomanduar nga mjeku që të pauzojë të paktën për një muaj, në mënyrë që mos të ketë probleme me dorën e djathtë.
“Donjeta ka kohë që ka problem me dorën e djathtë, e ky lëndim e ka munduar edhe në Botëror. Mungesa e saj është lajm i keq për ne, pasi me Donjetën gjasat ishin të mëdha për medalje edhe në Lojërat Mesdhetare pas suksesit në Botëror. Në fakt, një medalje do ta kishim të sigurt për shkak se Donjeta ishte favorite”, ka thënë sekretari gjeneral i FBOXK-së, Latif Demolli, për KOHËN.
“Megjithatë, medalja në Lojërat Mesdhetare nuk do të na ishte nevojitur sikur ajo të lëndohej dhe të mos mund të merrte pjesë në ngjarjet e tjera të rëndësishme të këtij viti. Edhe në mungesë të Donjetës, kemi gjasa për medalje me katër boksierët e tjerë që do të marrin pjesë në Lojërat Mesdhetare”.
E pas pauzës, në Federatë shpresojnë që Sadiku të rikuperohet plotësisht dhe të jetë e gatshme për ngjarjet e tjera të mëdha, Kampionatin Ballkanik dhe Evropian, që mbahet në shtator dhe tetor.
“Në shtator është Kampionati Ballkanik, kurse në tetor Evropiani, kështu që ajo do të rikuperohet dhe do të jetë gati për këto ngjarje. Nuk guxonim të rrezikonim ta dërgonim në Lojërat Mesdhetare, pasi rekomandimi i mjekut është që pas një muaji Donjeta nuk do të ketë më telashe me këtë lëndim. Na mungon një medalje evropiane për senior dhe e presim prej saj në tetor, pasi tashmë është pjekur dhe ka krijuar përvojë, gjë që e dëshmoi në Botëror”.
Medalja e Donjetës në Botëror është vlerësuar historike për boksin kosovar. Është e para për Kosovën nga ngjarjet e mëdha të boksit, që nga pavarësimi i sportit. Rreth katër dekada më parë, Mehmet Bogujevci e Sami Buzolli kishin fituar medalje botërore, duke e prezantuar Jugosllavinë.