Klubi i Prishtinës pak minuta pasi shkarkoi trajnerin gjerman, Zoller, ka konfirmuar se Damir Mullaomeroviq do të zë vendin e tij në postin e trajnerit.
Burime të gazetës KohaDitore sot kanë shpjeguar se klanet e krijuara mes lojtarëve kanë bërë që trajneri gjerman të mos mundë të mbijetojë. Bëhej fjalë për klanin e lojtarëve të huaj, që gjermani e përkrahte hapur dhe klanin e lojtarëve vendorë, të udhëhequr nga lojtari më i mirë kosovar, Dardan Berisha, që kohët e fundit humbi shumë nga ndikimi në skuadër.
Mullaomeroviq vjen në postin e trajnerit te Prishtina pak javë pasi mori drejtimin e përfaqësueses së Kosovës.
“Si lojtar ka qenë pjesë e ekipeve më të famshme në kontinentin tonë si, Cibona, Efes, Panathinaikos, PAOK, Olympiacos e Real Madrid. Ku ka të fituar tituj prestigjiozë individual e ekipor si, Kampion e fitues i Kupës së Kroacisë, fitues i Kupës së Turqisë, koshashënuesi më i mirë dhe 3 herë All-Star në Superligën greke, fitues i Euro League me Real Madridin e shumë të tjerë. Ai gjithashtu ka qenë reprezentues i rregullt i Kroacisë”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.
“Pas karrierës së suksesshme si lojtar, atij nuk i munguan sukseset as në zejën e trajnerit. Mullaomerovic si trajner filloi me ekipin e vendlindjes së tij, Sloboda Tuzla të cilën e udhëhoqi për dy vite”, thuhet në njoftim.
Pas ekipit boshnjak ai u emërua timonier i skuadrës së famshme evropiane Cibona nga Zagrebi, kurse së fundmi udhëhoqi përfaqësuesen e Bosnje dhe Hercegovinës.