Sport

Prishtina ndahet me trajnerin që bëri histori

Ndeshja e së shtunës ndaj Bashkimit do të jetë e fundit për Damir Mullaomeroviqin si trajner i Z Mobile Prishtina, shkruan sot Koha Ditore.

Mullaomeroviq pas kësaj ndeshjeje, që zhvillohet në Prishtinë prej orës 19:00, do të përshëndetet me lojtarët dhe me drejtuesit e klubit. Ai do të largohet nga bardhekaltrit për çështje personale, kanë bërë të ditur burime brenda klubit prishtinas.

Boshnjaku Mullaomeroviq në krye të Prishtinës ka ardhur në fillim të muajit tetor të vitit të shkuar, duke zëvendësuar gjermanin Matthias Zollner, pas eliminimit të klubit në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Mullaomeroviq, dikur basketbollist elitar evropian, arriti me sukses ta udhëheqë klubin në FIBA Europe Cup, duke e kualifikuar për herë të parë në 1/8 e finales të kësaj gare. Me Mullaomeroviqin në krye, Prishtina me sukses e kaloi fazën e parë dhe të dytë grupore të FIBA Europe Cup, garë në të cilën paraqitet për edicionin e katërt rresht.

Në 1/8 e finales, Prishtina do të përballet me ekipin nga Italia, Varese, kurse ndeshjet do t'i luajë muajin e ardhshëm (6 e 13 mars).

Krahas FIBA Europe Cup, Mullaomeroviq është treguar i suksesshëm edhe në kampionatin e Kosovës, pasi Prishtina është ekipi i vetëm që nuk di për humbje pas 17 xhirove të zhvilluara deri më tani këtë edicion.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).