Tinejxheri i Borussia Dortmundit, Youssoufa Moukoko u bë golashënuesi më i ri në Bundesligë, por skuadra e tij humbi 2:1 në udhëtim te Union Berlini pasi pranoi dy gola të premten.
16-vjeçari realizoi pas një ore lojë, duke e kthyer në gol asistimin e Marco Reusit. Ai e theu rekordin e Florian Wirtz, i cili realizoi për Bayer Leverkusenin kundër Bayern Munichut me 17 vjet e 34 ditë, në maj të vitit 2020.
Dortmundi, që e shkarkoi Lucien Favren javën e kaluar pas humbjes turpëruese 5:1 nga Stuttgarti i promovuar në Bundesligë e që e zëvendësoi me asistentin Edin Terziq, e pësoi disfatën e pestë të sezonit.
Kamerunasi Moukoko, i cili ka përfaqësuar të rinjtë e Gjermanisë, e qëlloi traversën në pjesën e parë.
Nikoqirët kaluan të parët në avantazh në minutën e 57-të nëpërmjet Taiwo Awoniyi, ndërsa golin e fitores e realizoi Marvin Friedrich, 12 minuta para fundit.
Ky rezultat e lë Dortmundin në vendin e katërt me 22 pikë nga 13 ndeshje, ndërsa Union Berlini është një pikë prapa, në vendin e pestë.