Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Motoristët në Pejë masin forcën në mes të spektaklit e etheve të garës

Sportet e shpejtësisë në Kosovë gjithnjë e më shumë po gëzojnë popullaritet.

Një ndër to është edhe MotoCrossi, që mes shumë sfidave, në mungesë të një federate, po ka gara të nivelit shumë të lartë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një të tillë e bëri klubi “Team Peja”, që gjallëroi qytetin e Pejës në këto ditë vere, derisa afroi në Tabje te vendi i garës dhjetëra entuziastë të këtij sporti, raporton emisioni “Sot” i KTV-së.

Të rinj e veteranë, në 2 konkurrenca 450 dhe 250 kubikë, matën forcat, duke luftuar në një garë shumë të ngushtë. Entuziazmi para garës ishte i lartë, derisa pjesëmarrësit shpërfaqën vështirësitë e mëdha që i ka marrja me këtë sport.

Mes garuesve pati edhe të rinj, vetëm 13 vjet.

Eksperienca interesante me motorin e tij tregon edhe Erdin Kasumoviqi, një nga garuesit më në zë të Kosovës në këtë sport, transmeton Koha.net.

Me shumë emocion, i pranishëm në këtë garë ishte edhe Megjit Qurdina, veteran i këtij sporti.

Ai kujtoi kohën e tij para shumë dekadave, kur në Prizren e Prishtinë kanë aplikuar këtë sport, ndërsa tani thotë se të rinjtë kanë mundësi më të shumta.

Shtegu i Pejës, shumë sfidues. 7 kërcimore, disa më të larta e disa më pak, dhe kthesa shumë të theksuara, bënë që gara të jetë tejet interesante.

Për 20 minuta plus dy xhiro, garuesit treguan një paraqitje dinjitoze, ndërsa për vendet e para u luftua shumë.

Në konkurrencën kryesore, Florian Pelaj nga Peja, rivalizoi pejanin tjetër Erdin Kasumoviqin, i cili nuk e nisi garën mirë, por shpejt u kthye i dyti, mirëpo kaq, pa mundësi që ta kalojë Pelajn.

Kjo në kategorinë kryesore deri në 450 kubikë, që kishte edhe fokusin kryesor.

Ndërsa në atë 250 kubikë pati më pak garues, por edhe aty u pa një konkurrencë e lartë për vendet e para, e këtë epitet e mori Albion Sylaj nga klubi i Therandës.

Kjo nuk do të jetë gara e fundit e MotoCrossit për këtë vit në Kosovë, pasi pritet të mbahet edhe në muajt në vazhdim, e ndërkohë edhe themelimi i federatës pastaj.