Në “Bloomfield Stadium” në Tel Aviv, Kosova i nis kualifikimet për Euro 2024. Ndeshja do të luhet të shtunën e ardhshme prej orës 18:00 dhe nuk do të jetë e lehtë për “Dardanët”. Përballë Kosovës do të jetë përfaqësuesja e Izraelit, që pritet të ketë përkrahje të madhe nga tifozët vendas. Mbi 25 mijë shikues i pret në stadium federata izraelite.
Për më tepër, Izraeli është në një prej momenteve më të mira që ka pasur ndonjëherë.
Në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, që u zhvillua vjet, Izraeli ka fituar grupin në Ligën B dhe është promovuar në Ligën A për edicionin e ardhshëm. Në Ligën A të Ligës së Kombeve paraqiten përfaqësueset më të mira evropiane. Në mesin e tyre do të jetë edhe Izraeli. Kosova është në Ligën C. Izraeli kishte dy fitore e dy barazime në Grupin 2. Ka fituar dy herë ndaj Shqipërisë, ndërsa barazoi dy herë me Islandën.
Manor Solomon kishte shënuar dy golat në fitoren 2:1 ndaj kuqezinjve në Tiranë, më 10 qershor. Në fitoren 2:1 në Tel Aviv, para afro 30 mijë shikuesve, golat për Izraelin i kishin shënuar Shon Weissman dhe Tai Baribo.
Sulmuesi Solomon pritet të jetë rreziku kryesor edhe ndaj Kosovës. Ai ka shënuar gola në pesë ndeshje rresht gjatë muajit shkurt dhe në fillim të marsit në Angli. Për Fulhamin në Premier League ka katër gola në nëntë ndeshje.
Sulmuesit e Izraelit luajnë në klube në vende tjera, por jo në klube të mëdha evropiane. Weissman është te Granada në Spanjë, Leis Abada te Celticu në Skoci, ndërsa Tai Baribo te Wolfsbergeri në Austri.
Në fakt shumica e lojtarëve të Izraelit paraqiten në klubet e këtij vendi. Nga një lojtar Izraeli e ka te Dinamo Moska, Austria Vjena, Partizani i Beogradit, Gambo Osaka dhe Salzburgu. Lojtarët e Kosovës janë në nivel më të lartë.
Izraeli nuk është paraqitur në ndonjë ngjarje të madhe deri më tani.
Në kualifikimet për Botërorin 2022 ishte i treti në grup. Kishte pesë fitore, një barazim e katër humbje. Mbeti prapa Danimarkës e Skocisë, ndërsa la pas Austrinë, Ishujt Faroe dhe Moldavinë.
Në kualifikimet për Euro 2020, Izraeli ishte i parafundit në grup. Kishte lënë prapa vetëm Letoninë. Para Izraelit ishin Polonia, Austria, Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia. Ishte paraqitur më pas edhe në plejof për kualifikim në Euro 2020, falë suksesit në Ligën e Kombeve, por ishte mposhtur nga Skocia me penallti.
Një lojtar nuk i është përgjigjur ftesës së Izraelit dhe për këtë temë përzgjedhësi Hazan ka folur edhe të dielën në konferencë për shtyp.
“E di që në 50 vjetët e fundit nuk ishim aq të suksesshëm, por kjo nuk na ndalon të besojmë. Nuk ka interesa personale këtu, interesi i ekipit është mbi të gjitha. E di që ka të tillë që do ta kemi lehtë të shtunën, por do të përballemi me një ekip të vërtetë. Luajmë në shtëpi dhe mendoj se asnjë ekip nuk duhet të ndiej që po vjen këtu dhe është favorit. Kosova është ekip i shkëlqyer, por synimi ynë është që lojtarët të ndiejnë besimin”, ka thënë Hazan.
Ai pret që përkrahja nga shikuesit ta bëjë dallimin të shtunën.
Kosova, ashtu si Izraeli, synon fitore për fillimin e eliminatoreve.