Luka Modriq edhe një herë e konfirmoi se pse është ndër mesfushorët më të vlerësuar në Evropë, përkundër moshës së tij. 37-vjeçari ia siguroi një penallti Kroacisë dhe e realizoi një tjetër në fitoren 4:2 ndaj Holandës pas vazhdimeve. Me këtë fitore Kroacia u kualifikua në finale të Ligës së Kombeve dhe është vetëm një fitore larg trofeut të parë ndërkombëtar.
Mijëra tifozë të Kroacisë që ishin të tribunat e stadiumit në Roterdam brohoritën “Luka! Luka! Luka” kur mesfushori shënoi nga penalltia në minutën e 116-të, të mërkurën mbrëma.
Pas ndeshjes, Modriq pranoi se tifozët e kishin bërë të ndihet sikur po luante në Zagreb apo Split të Kroacisë. Kjo ishte paraqitja e 165-të për Kroacinë dhe në përfundim të karrierës, Modriq ka rastin për ta ngritur trofeun e parë me fanellën e vendit. Kroacia të dielën do të luajë në finalen e edicionit të tretë të Ligës së Kombeve.
Selektori i Kroacisë, Zlatko Daliq, ka përgëzuar Modriqin për paraqitjen maestrale ndaj Holandës. Madje, ai ka thënë se Modriqi edhe një herë u dëshmua si arkitekt i mesfushës së Kroacisë, që u shfaq më e fortë se Holanda. Edhe pse Daliq e ka parasysh se Modriqi është në fund të karrierës, selektor shpreson që ta ketë mesfushorin edhe për një kohë te Kroacia. Daliqi po shpreson se Modriqi nuk do t’i thotë lamtumirë karrierës ndërkombëtare pa e ndihmuar Kroacinë që të kualifikohet në Kampionatin Evropian, që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.
“Ai mund të jetë lojtari që mund të na ndihmojë të triumfojmë në Ligën e Kombeve. Paraqitjet e tij janë fantastike dhe këtë e dëshmoi edhe në gjysmëfinale ndaj Holandës. Andaj, Luka është shumë i rëndësishëm për ne”, është shprehur Daliq. “Luka do të vendosë pas finales të Ligës së Kombeve për të ardhmen e tij. Por ai e di se ne jemi shumë më të mirë kur e kemi në ekip. Kemi më shumë cilësi me të dhe shpresoj që të jetë pjesë e jona edhe për një periudhë”.
Kroacia përfundoi e treta në Botërorin “Katari 2022” të mbajtur në dhjetor, katër vjet pasi doli nënkampione në turneun global të zhvilluar në Rusi. Daliq po shpreson që Kroacia të triumfojë në Ligën e Kombeve në mënyrë që ta kurorëzojë me trofe “epokën e artë” të përfaqësueses.
Edhe
Daliq: Fundi i një epoke të shkëlqyer
“Do të ishte një shpërblim i madh nëse triumfojmë të dielën dhe mendoj se meritojmë të kurorëzohemi me trofeun e më të mirit”, ka pranuar Daliq. “Kemi qenë ekip që ka treguar cilësi vazhdimisht në gjashtë vjetët e fundit dhe kjo epokë e artë e jona duhet të shpërblehet me sukses”.
Modriqi ka debutuar në vitin 2006 me Kroacinë dhe deri më tani ka shënuar 24 gola. Ai prej vitit 2012 është pjesë e Real Madridit, ekip me të cilin ka fituar gjithçka që mund të fitohet në nivel klubesh. Po ashtu Modriq ka fituar “Topin e Artë” si lojtari më i mirë në vitin 2018. Te Madridi pritet të luajë të paktën edhe për një vit.