Mizat kanë bërë një rikthim jo të mirëseardhur në Wimbledon të mërkurën, duke shtyrë kampionen aktuale, Caroline Wozniacki që të ankohet për këtë problem në turneun e famshëm britanik.
Këto miza, që zakonisht fluturojnë në kohë të ngrohtë, shkaktuan probleme te tenistët vitin e kaluar kur Johanna Konta pohoi se e kishte gëlltitur një prej tyre.
Wozniacki ka kërkuar nga organizatorët që të marrin masa derisa është mposhtur nga tenistja ruse Ekaterina Makarova, transmeton Koha.net.
“I kam në gojë, në flokë dhe çdokund – duhet të bëjmë diçka. A ka ndonjë sprej? Duhet të përqendrohem në tenis, jo të ha miza”, ka thënë Wozniacki.
Insektet janë parë duke fluturuar nëpër fushë dhe në flokët e tenistes daneze, por ajo nuk i ka fajësuar mizat për humbjen e saj, por ka thënë se për herë të parë po shihte miza në Wimbledon.
Një zëdhënës i Wimbledonit ka thënë se këto miza zakonisht shfaqen në fund të muajit korrik, por sivjet kanë nisur të fluturojnë më herët.
