Dy ditë para ndeshjes të Ligës së Kampionëve, lojtareve dhe drejtuesve të KFF Mitrovica u janë refuzuar vizat nga Ambasada e Austrisë në Shkup. Kampionia e Kosovës në futboll kishte planifikuar të udhëtonte të martën (sot) për ta luajtur ndeshjen në Austri të mërkurën (nesër), por një gjë e tillë duket gati e pamundur pas refuzimit që e ka marrë të hënën.
Mitrovica duhet të përballet me kampionin e Austrisë, SKN St. Polten. Pas refuzimit të vizave, te klubi kosovar po shpresojnë që kjo ndeshje të caktohet për një datë tjetër. KFF Mitrovica ka bërë një reagim pas refuzimit duke thënë se Ambasada austriake në Shkup qëllimisht ka vepruar në këtë mënyrë. Të njëjtin version për KOHËN e ka thënë edhe kryetari i klubit, Hajrullah Haxhiu. Ai ka theksuar se menjëherë i janë drejtuar Federatës së Futbollit të Kosovës dhe UEFA-s, duke i njoftuar në hollësi me situatën dhe me shpresën që termini i ndeshjes do të caktohet për më vonë.
Gjithçka mbetet pezull. Te KFF Mitrovica po shpresojnë që ndeshja mos të vendoset në tavolinë duke vlerësuar se dokumentacioni i dorëzuar ishte në rregull dhe se për këtë arsye edhe e kishin të caktuar terminin në ambasadë.
Sipas Haxhiut, Ambasada austriake ka shpikur kërkesa ndonëse si klub e kishin garanci nga FFK-ja dhe konfirmimin nga UEFA që do të luajnë në Ligën e Kampionëve.
“Pas refuzimit të padrejtë jemi në përpjekje të kontaktojmë me të gjithë, FFK-në dhe UEFA-n që ndeshja të shtyhet për një datë tjetër. Jemi të detyruar të bëjmë një gjë të tillë për shkak se Ambasada austriake në Shkup ka shpikur forma dhe dokumentet që nuk përkasin asgjë me neve. Tash gjithçka ka mbetur pezull dhe jemi në dorë të UEFA-s për shkak të papërgjegjësisë së Ambasadës që ka dashur t’i bënte favor ekipit austriak”, është shprehur Haxhiu. “Ne si klub e kemi dorëzuar komplet dokumentacionin e nevojshëm, përfshirë këtu garancinë bankare, garancinë e FFK-së, klubit austriak dhe konfirmimin e UEFA-s, por që duket se nuk mjaftuan edhe pse ato i kemi dërguar vitin e shkuar në Ambasadën gjermane dhe jemi pajisur me viza për një vit”.
Edhe nëse termini shtyhet, do të jetë vështirë të realizohet ndeshja për shkak se disa prej lojtareve që janë të pajisura me viza, ato i kanë valide deri më 5 nëntor, datë para së cilës KFF Mitrovica e kishte planifikuar të kthehet në Kosovë duke udhëtuar menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.
“Edhe pse ishin të gjitha dokumentet, në Ambasadë shpiknin të tilla. Mua si kryetar të klubit më kërkuan kontratën me ekipin tim. Pastaj konfirmimin e biletave me cilën aviokompani dhe planifikimin kohor, që nuk mund të bëhet pa u pajisur me vizë. Kërkonin dokumente shtesë pa nevojë. Tani as kundërshtarët nuk po lajmërohen, por ne po bëjmë të pamundurën me UEFA-n. 70 për qind e ekipit nuk ka vizë derisa pjesës tjetër i skadon më datë 5 nëntor, që edhe nëse caktohet datë e re do ta kemi problem pasi kishim planifikuar të kthehemi para saj”, ka thënë Haxhiu.
Sipas tij, KFF Mitrovica kishte bërë investime për këtë ndeshje pasi muaj më parë kishte transferuar edhe dy futbolliste afrikane dhe gjatë tërë kësaj periudhe ishte përgatitur për gara në Champions. Mitrovica në tri edicionet e fundit është ekipi më i suksesshëm i futbollit të femrave në Kosovë, kurse sezonin e shkuar arriti suksesin më të madh duke kaluar fazën e grupeve përpara se të eliminohej në 1/16 e finales së Championsit.
Ndeshja me St. Poltenin i takon raundit të parë kualifikues.