Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

KFF Mitrovica me numër të kufizuar futbollistesh synon paraqitje dinjitoze në Austri

Për të mos e humbur ndeshjen me rezultat zyrtar dhe të mos penalizohet nga UEFA për mosudhëtim në Austri, KFF Mitrovica ka gjetur një zgjidhje emergjente për ta zhvilluar duelin në kuadër të raundit të parë eliminator të Ligës së Kampionëve të femrave ndaj ekipit austriak, SNK St. Polten.

Kampionia e Kosovës, të martën, është nisur drejt Austrisë me numër të kufizuar futbollistesh dhe stafit, një ditë më vonë pas reagimit ku kishte njoftuar se Ambasada e Austrisë me seli në Shkup ua kishte refuzuar vizat duke kërkuar dokumente shtesë që nuk kishin të bënin me ekipet sportive. Me 15 futbolliste në dispozicion dhe tre përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), kampionia e Kosovës në futbollin e femrave të martën pasdite ka ateruar në Austri, ku edhe ka mbajtur stërvitjen e fundit para ndeshjes së rëndësishme. Dueli mes St. Poltenit dhe Mitrovicës zhvillohet të mërkurën prej orës 16:00. Shumica e futbollisteve që kanë udhëtuar drejt Austrisë janë të pajisura me pasaporta të Shqipërisë, derisa të tjerave vizat iu skadojnë më 5 nëntor. Trajnere e skuadrës mitrovicase do të jetë Sanije Krasniqi, ndihmës-trajnerja e Kosovës për shkak se trajneri Veton Çitaku nuk e di nëse do të pajiset me vizë deri në ditën e ndeshjes.

“Një grup prej 15 lojtareve, ku një pjesë kanë pasaporta të Shqipërisë dhe pjesa tjetër ka viza valide deri një ditë pas ndeshjes, do të paraqiten në fushë, ku kemi marrë edhe staf të FFK-së. Nuk jemi të kompletuar pasi edhe shtatë futbolliste nuk kanë udhëtuar shkaku i vizave, pasi Ambasada austriake në Shkup ka kërkuar dokumente që nuk i përkasin sportit dhe është e pamundur të aplikojmë pasi koha është e shkurtër”, ka thënë Haxhiu për KOHËN. “Megjithatë, lojtaret që do të dalin në fushë do të japin maksimumin nga vetja dhe do ta kërkojnë kualifikimin tutje në Ligën e Kampionëve, ndonëse nuk do të jetë aspak lehtë. Arsyeja kryesore që kemi bërë një zgjidhje të tillë ishte që të mos e humbnim ndeshjen në tavolinë dhe të mos penalizoheshim nga UEFA shkaku që nuk kemi udhëtuar, ndonëse jo me fajin tonë”.

Megjithatë, Haxhiu ka shtuar se FFK-ja u ka premtuar se të mërkurën mund të jepen vizat për disa futbolliste dhe anëtarë të stafit të klubit, përfshirë këtu edhe trajnerin Veton Çitaku.

“Të mërkurën po shpresojmë që një pjesë tjetër prej shtatë personave të pajisemi me viza dhe të udhëtojmë pasi kemi premtime nga federata. Por, me rëndësi është se ekipi do të dalë në fushë për ta luajtur ndeshjen, ndonëse i përgjysmuar”, është shprehur Haxhiu.

Megjithatë, në Ambasadën austriake në Shkup insistojnë se KFF Mitrovicës nuk i janë refuzuar vizat me anë të një përgjigjeje dhënë gazetës nëpërmjet emailit.

Edhe Mitrovicaset nuk pajisen me viza, ndeshja e Championsit në dyshim të madh Sport Mitrovicaset nuk pajisen me viza, ndeshja e Championsit në dyshim të madh

“Ju lutem vini re se asnjë nga kërkesat për viza nuk u refuzua dhe klubi do të niset sot (e martë) në orën 15:00 nga Aeroporti i Prishtinës. Sidoqoftë, disa anëtarë jothelbësorë të delegacionit u përjashtuan nga vetë klubi për ta zvogëluar numrin e aplikantëve”, thuhej në përgjigjen e Ambasadës austriake në Shkup.

Mitrovica në tri edicionet e fundit është ekipi më i suksesshëm i futbollit të femrave në Kosovë, kurse sezonin e shkuar arriti suksesin më të madh, duke kaluar fazën e grupeve përpara se të eliminohej në 1/16 e finales së Championsit.