Në palestrën e stërmbushur “Minatori” në Mitrovicë, Trepça vendëse ka bërë hapin e parë drejt finales së plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Në gjysmëfinale të plejofit, Trepça ka fituar ndaj Pejës me shifrat 75:68. Tani udhëheq 1:0 në seri dhe i duhen edhe dy fitore për të kaluar në finale. Ndeshja e dytë po ashtu luhet në Mitrovicë, mesjavën e ardhshme.
Çereku i parë ishte kryesisht i barabartë, por u fitua nga Trepça me shifrat 23:17. Edhe çereku i dytë ishte i barabartë, ndërsa në fund të tij Dardan Berisha u largua nga loja për sjellje josportive ndaj arbitrave. Largimi i kapitenit të Pejës pati ndikim të madh në vazhdim të ndeshjes. Këtë e kanë pranuar të dy trajnerët. Pas periudhës së dytë, Trepça udhëhiqte me shifrat 40:35.
Dallimi në rezultat u bë në çerekun e tretë, të cilin vendësit e fituan 23:14. “Xehetarët” më të relaksuar u futën në çerekun e fundit, të cilin e humbën me shifrat 19:12. Por fitorja e tyre nuk u rrezikua.
Andrew Gordon ishte më i miri te Trepça me 17 pikë e nëntë kërcime, ndonëse në parket i kaloi vetëm 23 minuta. Rodney Purvis udhëhoqi “xehetarët”, ndërsa ndeshjen e mbylli me 22 pikë e tetë asistime.
Ty Cockfield ndeshjen e përfundoi me 12 pikë. Mungoi kontributi i vendësve, sidomos sa u takon pikëve të shënuara. Te Peja lojë pak më të mirë shfaqi Stephen Maxwell me 14 pikë e 13 kërcime. Darius Washington kontribuoi me 22 pikë e tri asistime. Berisha për 18 minuta të kaluar në parket i shënoi vetëm dy pikë. Edhe te Peja vendësit ishin në hije.
“Uroj Trepçën për fitoren e merituar. I uroj edhe tifozët e dy skuadrave për atmosferën e krijuar. Ka vendosur largimi i Dardan Berishës. Trepça ka më shumë lojtarë në të cilët llogarit dhe që janë më të përgatitur. Ne nuk kemi mundur të mbajmë ritmin deri në fund. Do të analizojmë këtë ndeshje dhe do të mundohemi të përmirësohemi për ndeshjen e dytë”, ka theksuar trajneri i Pejës, Marin Dokuzovski.
Trajneri i Trepçës, Lubomir Minchev, është shprehur i dëshpëruar me mënyrën që skuadra e tij e mbylli ndeshjen.
”Atmosfera ishte e shkëlqyeshme. Nuk ishte e lehtë, e dimë që Peja është ekip i mirë. Berisha u largua dhe kjo e bëri më të lehtë për ne. Jam i lumtur që e kemi fituar ndeshjen. Por nuk kemi luajtur mirë.
Nuk mund të pranoj mënyrën se si e kemi përfunduar ndeshjen. Ky është vetëm një hap, vetëm një ndeshje. Mendoj se Peja ka më pak lojtarë në të cilët llogarit. I ka lojtarët më të vjetër, që janë lodhur.
Por nuk e kemi mbyllur ndeshjen në mënyrën e duhur. Ndeshja e dytë është ndeshje e re. Ky është vetëm një hap dhe shpresoj se do të fitojmë. Duhet të jemi të fokusuar pasi e pamë sonte që Peja nuk dorëzohet”, ka thënë Minchev.
Trepça ka pasur përkrahje të madhe nga tribunat, por edhe nga qindra shikuesit e vendosur në parket.
Trepça në gjysmëfinale ka kaluar direkt pasi përfundoi e dyta në stinorin e rregullt. Peja në çerekfinale e kaloi Bashkimin.
Në gjysmëfinalen tjetër takohen Golden Eagle Ylli dhe Sigal Prishtina. Ylli e ka fituar bindshëm ndeshjen e parë të luajtur të shtunën mbrëma në Suharekë.