Gledi Mici është konfirmuar si kapiten i ri i skuadrës së Prishtinës.
Lajmi është bërë i ditur të dielën në faqen zyrtare të klubit “bardhekaltër”.
“31-vjeçari është futbollist me karakter të fortë dhe ka përvojë të madhe në lojën më të popullarizuar në botë. Ai është pjesë e Prishtinës nga vera e vitit 2020, teksa me ekipin ‘bardhekaltër’ e ka fituar një titull të kampionit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prishtinës.
“Të jesh kapiten i Prishtinës është përgjegjësi e madhe pasi që Prishtina është emër me shumë peshë. Do të mundohem që me punë dhe profesionalizëm ta justifikoj këtë detyrë. Tifozëve iu premtojmë që do të jemi ekip ndryshe këtë vit. Të gjithë lojtarëve na takon të japim energjinë e fundit në fushë dhe ta rikthejmë Prishtinën aty ku i takon. Cilësitë dhe arritjet e trajnerit dihen. Mentaliteti dhe besimi i tij do të na ndihmojnë edhe neve si lojtar që ta japim më të mirën. Me shumë punë dhe besim do të jetë edicion i mirë për të gjithë”, ka thënë Mici për faqen zyrtare të klubit në “Facebook”.
Mici karrierë ka bërë edhe tek ekipet si Kamza, Flamurtari i Vlorës, Kukësi, Skënderbeu dhe Shkëndija e Tetovës.