Lionel Messi ka vazhduar shkëlqimin te skuadra e Inter Miamit. Ylli argjentinas sërish është treguar vendimtar për ekipin e tij. Ai ka shënuar dy gola në fitoren 3:1 që Miami e arriti ndaj Orlando Cityt, të enjten në kuadër të Kupës së Ligës.
Me këtë triumf, Miami ka avancuar në 1/8 e finales të kësaj gare, ku do të përballet me skuadrën e Dallasit. Messi ishte titullar te Miami dhe luajti gjatë tërë ndeshjes, në të cilën u ndëshkua edhe me karton të verdhë.
Messi e hapi serinë e golave për Miamin, duke zhbllokuar rezultatin me të filluar ndeshja. Ai shënoi gol në minutën e 7-të, por Orlando barazoi shifrat dhjetë minuta më vonë për të shkuar në pushim me rezultatin 1:1.
Në pjesën e dytë, Miami shënoi edhe dy gola për ta konfirmuar fitoren dhe kalimin në fazën tjetër të kësaj gare. Fillimisht, Josef Martinez realizoi nga penalltia në minutën e 51-të për ta rikthyer epërsinë e Miamit, ndërsa rezultatin përfundimtar të takimit, e vulosi Messi.
Ai shënoi në minutën e 72-të pas asistimit të Martinezit. Për Messin, kjo ishte ndeshja e tretë për Miamin, ndërsa deri më tani ai ka 5 gola të shënuar dhe 1 asistim.