Sport

Messi ka kopjuar Maradonën me golat dhe shkathtësitë e tij, por jo me stilin e jetës

Barcelonë, 30 nëntor (Reuters) – Lionel Messi është argjentinasi i vetëm që vërtet arsyeton përshkrimin Diego Maradona i ri, kështu që nuk ishte ndonjë befasi kur kapiteni i Barcelonës ia dedikoi bashkëkombësit të tij të ndjerë golin e shënuar në fitoren 4:0 në La Liga të dielën ndaj Osasunas.

Dy futbollistët ikonë të Argjentinës mund të kenë karaktere të ndryshme, por ata kanë shumë gjëra të përbashkëta, përfshirë lidhjen me Newell’s Old Boysin.

Messi është lindur një vit pasi Maradona, si kapiten, drejtoi Argjentinën drejt titullit të botës në “Meksikë 1986”, por ai ishte në stadiumin e Newell’sit si tifoz në vitin 1993, kur Maradona bëri debutimin për këtë klub.

Goli i Messit të dielën ishte i ngjashëm me atë që kishte shënuar Maradona atë ditë kundër Emelecut, të dy lojtarët duke dribluar nga krahu para se të shënonin në këndin e epërm.

Nuk ishte hera e vetme që Messi e imitoi Maradonën.

Goli i tij individual kundër Getafes në vitin 2007 ishte kopje e golit të dytë të Maradonës të shënuar kundër Anglisë në çerekfinale të Botërorit 1986, ndeshje që mbahet në mend edhe për golin “Dora e Zotit”, golin e parë të ndeshjes që e shënoi Maradona me dorë.

Duke kaluar fillimisht dy persona në gjysmën e fushës, u përfundua aksioni me driblimin e portierit dhe shënim.

Atë stinor të njëjtë, Messi prodhoi një version të vetin “Dora e Zotit”, duke e grushtuar topin për në portë në ndeshjen kundër Espanyolit, që shtyu një komentator argjentinas të thoshte: “Ky është Maradona i veshur si Messi. Ai është rimëshiruar”.

Dy lojtarët kanë pasur të përbashkëta si vizionin për pasim, një këmbë të majtë magjike, e po ashtu karakteristika të tjera që shpesh është dukur se është me botë larg.

Karriera me plot ngjarje

Maradona ka bërë bujë me karrierën e lavdishme, por edhe shpesh me lajmet jashtë fushës së futbollit.

Por, kjo shpesh i ka ndihmuar imazhit të tij, veçanërisht në Argjentinë ku mijëra kanë shkelur masat anti-COVID për ta nderuar idhullin, që vdiq të mërkurën në moshën 60-vjeçare.

Në anë tjetër, Messi është njeri familjar, ka tre djem me dashurinë e tij nga fëmijëria, Antonela Roccuzzon, me të cilën është martuar në vitin 2017.

Skandali më i madh i tij ishte kur u zbulua se ka bërë evazion fiskal, akuzë me të cilën është përballur edhe Maradona gjatë karrierës së tij të lavdishme, por është përballur edhe me akuza për përdorim të drogës, për ngrënie të tepërt e alkoolizëm.

Por, cili renditet si lojtar më i mirë?

Maradona ka realizuar 346 gola në 679 ndeshje për klub dhe shtet në të gjitha garat, por dy pezullime për përdorim të drogës, si dhe problemet shëndetësore e lëndimet, nënkuptojnë se ai pati vetëm tetë vjet kulmore në karrierë.

Messi, që e nisi karrierën në vitin 2004, ka luajtur 855 ndeshje dhe ka shënuar 712 gola, ndërsa ende ka edhe disa vite para vetes, pasi është 33-vjeçar.

Ai është rekordmen i golave te Barcelona dhe lojtari më i dekoruar, duke fituar plot 10 herë La Ligan dhe katër herë Ligën e Kampionëve.

Lojtar dominues

Maradona kurrë nuk e ka fituar trofeun më të madh të klubeve në Evropë, por ka udhëhequr Napolin drejt sukseseve të mëdha, duke fituar dy herë titullin e Serie A dhe një herë Kupën UEFA. Ndërsa ai ishte vendimtar për Argjentinën, duke e drejtuar te titulli i botës në vitin 1986 dhe finalja në Botërorin 1990.

Messi është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave tek Argjentina, por fati e ka braktisur kur kishte më së tepërmi rëndësi. Ai ishte në skuadrën humbëse në finalen e Botërorit 2014. Argjentina pësoi 1:0 pas shtesave nga Gjermania. Ai po ashtu ka pësuar dy herë në finale të Copa Americas pas penalltive.

“Maradona definitivisht është lojtari më i mirë që kam parë, por tifozët e Messit nuk duhet të zemërohen për këtë, pasi ai jeton në një epokë tjetër”, tha presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez, më herët këtë vit. “Por, mund ta lije Maradonën përkrah dhjetë fshiseve dhe sërish skuadra e tij do të fitonte”.

Ish-lojtarët e kanë të vështirë të vendosin se cili ka qenë më i miri.

“Diego ishte më artistik dhe më pasionant, por Messi ka arritur më tepër”, ka thënë ish-bashkëlojtari i Maradonës tek Argjentina, Jorge Valdano.

Trajneri i tashëm i Atletico Madridit, Diego Simeone, që luajti me Maradonën te Sevilla dhe Argjentina ka shtuar: “Nuk ka kuptim të zgjedhësh mes këtyre dyve, luajtën në epoka të ndryshme. Diego ishte dukshëm më emocional, por Leo shënoi shumë më tepër gola. Të dy jashtëzakonisht të mirë, por shumë të ndryshëm”.