Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Messi i kujdesshëm për shanset e Argjentinës në Kupën e Botës

Lionel Messi pranon se është tejet i kujdesshëm lidhur me shanset e Përfaqësueses së Argjentinës në Botërorin në Katar. Superylli po përgatitet për të udhëhequr ekipin në Kupën e Botës, duke kërkuar të kurorëzojë një karrierë të lavdishme me ngritjen e trofeut më të çmuar në Katar.

Skuadra nga Amerika e Jugut e ka fituar dy herë këtë trofe - në vitin 1978 dhe 1986 - me Messin që qe mposhtur në finalen e Botërorit të vitit 2014. Messi ka pranuar se të gjithë në ekipin e Argjentinës me padurim presin turneun që nis të dielën, por ka thënë se nuk dëshiron të ngutet për t’i shpalosur synimet e mëdha në start.

“Ne jemi shumë të emocionuar”, tha Messi në një intervistë të martën. “Ne kemi një grup shumë të mirë të lojtarëve, i cili është shumë i etur. Por ne mendojmë të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje. Po ashtu, e dimë se grupet e Kupës së Botës nuk janë të lehta. Andaj duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për synimet tona”.

Ndeshja hapëse e Argjentinës në Kupën e Botës është më 22 nëntor kundër Arabisë Saudite në Grupin C, ku bëjnë pjesë edhe Meksika dhe Polonia. Argjentina do ta luajë një ndeshje miqësore para se të vendoset në Katar. Të mërkurën mbrëma do të përballet me Emiratet e Bashkuara Arabe në Abu Dabi.

“Shpresojmë të fillojmë Kupën e Botës në mënyrën më të mirë për të përballuar gjithçka që vjen më pas”, tha Messi, i cili iu bashkua pjesës tjetër të ekipit në Abu Dabi të hënën.

Sulmuesi i Paris Saint-Germainit theksoi pikat e forta të përfaqësueses së drejtuar nga përzgjedhësi Lionel Scaloni dhe avantazhin e të pasurit një ekip të formuar, i cili triumfoi në Copa America vitin e kaluar.

“Sa më shumë të luani dhe sa më shumë kohë të kaloni në fushë, aq më shumë njiheni me njëri-tjetrin”, tha ai. “Ne i dimë karakteristikat e njëri-tjetrit dhe çfarë është më e mira për çdo moment. Pra, kjo është përparësia jonë në këtë Botëror”, insistoi Messi.

Sulmuesi foli edhe për favoritët, ndërsa shtoi se në Kampionatin Botëror gjithmonë ka befasi.

“Sa herë që flasim për kandidatët potencialë për të triumfuar, ne gjithmonë flasim për të njëjtat ekipe. Nëse më duhet të vendos disa mbi të tjerët, mendoj se Brazili, Franca dhe Anglia janë pak më lart se të tjerët. Por Kupa e Botës është aq e vështirë dhe aq e ndërlikuar saqë çdo gjë mund të ndodhë”.

Messi, i cili ka të ngjarë të luajë Botërorin e fundit në moshën 35-vjeçare, tha se është përshtatur plotësisht me jetën në Paris, pas një viti të parë të vështirë pas lëvizjes së tij nga klubi i fëmijërisë, Barcelona. Këtë edicion Messi ka shkëlqyer te PSG-ja ku ka shënuar 12 gola dhe ka bërë 14 asistime në 21 paraqitje në të gjitha garat.

“Pas atij procesi njëvjeçar, i cili zgjati shumë, sot jam i lumtur ku jetoj. Unë dhe familja ime po kënaqemi në Paris”, tha ai. “Gjithashtu më duhet të pranoj se jam i kënaqur edhe me formën time, e cila shpresoj të më përcjellë edhe në Kampionatin Botëror”.

Messi luajti për PSG-në të dielën përpara se t'i bashkohej bashkëlojtarëve të tij argjentinas në Abu Dabi, ku mori pjesë në një seancë stërvitore të hapur për publikun.

Artikuj të ngjashëm