Ylli argjentinas i Barcelonës, Lionel Messi ka folur në lidhur me akuzat se krerët e Barcelonës kanë paguar kompaninë “I3 Ventures” për të dëmtuar imazhin në publik të disa personave në klub, përfshirë edhe imazhin e Messit.
Messi ka bërë të qartë se nuk di më tepër detaje sesa ato që kanë dal në publik.
“E vërteta është se më ka kapur kjo situatë në befasi, pasi nuk isha aty dhe isha duke udhëtuar”, ka thënë Messi në një intervistë për “Mundo Deportivo” të mërkurën. “Kur erdha mësova çdo gjë. Presidenti na tha të njëjtën gjë që ka thënë në publik, të njëjtën gjë që ka thënë në konferencë për media. Ai na ka treguar si është situata dhe çfarë ka ndodhur. Nuk mund të them më tepër. Ai na tha kapitenëve në privat të njëjtën gjë që të gjithë e dijnë. E vërteta është se më duket pak e çuditshme që gjëra të tilla ndodhin. Por, po ashtu kanë thënë se ka dëshmi. Ne duhet të presim e të shohim nëse është e vërtetë apo jo. Do të shohim se çfarë do të ndodh. Më duket një situatë shumë e çuditshme”.
Messi po ashtu ka folur për jetën e tij në Barcelonë dhe i është përgjigjur edhe pyetjeve nëse i mungon Argjentina, transmeton Koha.net.
“Jam shumë mirë në Barcelonë. Më pëlqen Barcelona, ndonëse më mungon shumë edhe Rosario. Kjo është shtëpia ime, pasi kam qenë tash më gjatë në Barcelonë sesa në Argjentinë. E dua shumë Barcelonën dhe e jetoj një jetë që më pëlqen shumë”, ka shtuar futbollisti më i mirë në botë.
Messi po ashtu ka treguar se mundohet të kalojë sa më tepër kohë me fëmijët e tij.
“Për fat të mirë, profesioni im më lejon të kaloj shumë kohë me fëmijët. Më lejon të ushtroj dhe të shkoj të ha shpejt me bashkëshorten time Antonelan e më pas të marrë fëmijët. Më pas kam mundësi të bëjë gjëra me fëmijët. Hamë darkë dhe biem në gjumë, pasi me tre fëmijë lodhemi e bëjmë gjumë herët. Nga dita e martë deri të enjten fëmijët kanë futboll dhe vijnë në kompleks sportiv. Arrijmë në shtëpi në 19:30 dhe hamë darkë. Kemi një jetë shumë normale, më pëlqen”, ka thënë Messi.