Sport

Mërgata i prin marshimit “dardan” drejt Evropianit

Pesë vjet ka punuar ishseleksionuesi Albert Bunjaki për ta bindur Valon Berishën që të bashkohet me Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Berisha e kishte lënë Norvegjinë për t’iu bashkuar Kosovës dhe tashmë është prej lojtarëve kryesorë te “dardanët”.

Përfaqësuesja e futbollit, me lojtarë si Berisha në qendër, është shndërruar në tregimin më pozitiv të vendit. Po cilësohet edhe brend, që ndër të tjera ngjall entuziazëm te qytetarët e vendit në kohën kur telashet janë të mëdha dhe shumë të rinj ua mësyjnë vendeve evropiane.

Yjtë aktualë të Kosovës janë fëmijët e një gjenerate që kishte lëshuar vendin dy apo tri dekada më parë e shtyrë nga vështirësitë e shumta, e që shumë janë ende prezentë, shkruan Koha Ditore.

Shumica janë fëmijë të diasporës së madhe shqiptare në Evropë, që lidhjen me vendin e lindjes po e forcon edhe përmes ekipit të futbollit.

16 prej 23 futbollistëve aktualë të Kosovës janë rritur apo zhvilluar në vende evropiane. Të tjerët si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Milot Rashica, Florent Hasani, Edon Zhegrova, Bernard Berisha e Visar Bekaj kanë nisur karrierën në Kosovë e ndërkohë janë vendosur në vende të ndryshme evropiane. Vetëm Bekaj vazhdon të jetë pjesë e futbollit që luhet në vend, por me mendje për kalim të shpejtë në Gjermani.

Askush nuk e vë në dyshim se pa lojtarët e formuar në vende evropiane, nëpër akademi me sistem superior, Kosova nuk do të kishte as për së afërmi nivelin që e ka tash. Rrjedhimisht, entuziazmi aktual nuk do të ishte dhe për Kosovën nuk do të bëheshin thuajse çdo muaj dhjetëra e qindra shkrime nga media të ndryshme evropiane e botërore që vendin e paraqesin në dritën më të mirë. Një imazh i mirë për vendin në botë vlerësohet me shumë peshë për Kosovën. Dhe pa diasporën, që vendit ia ka dhënë shumicën e lojtarëve, kjo reklamë do të ishte e pamundur.

“Ekipi i futbollit, lojtarët që i kemi, po na i gëzojnë zemrat. Unë kam shumë emocione sa herë që jam në stadium, sa herë që e shikoj Kosovën”, thotë Albert Bunjaki, i vlerësuar gjerësisht si njeriu që ka vënë themelet e Përfaqësueses aktuale të Kosovës. Bunjaki në vitin 2009 e mori postin e përzgjedhësit, ndërsa në post qëndroi deri në tetor të vitit 2017. Përfaqësuesja ka kaluar faza të shumta, disa shumë të vështira e sfiduese në kohën e Bunjakit si seleksionues.

“Unë në një mënyrë vetë jam pjesë e diasporës. Ka 30 vite që jetoj në Suedi. Por në fakt nuk ka diasporë. Të gjithë jemi kosovarë, të gjithë jemi shqiptarë. Nuk ka dallime nëse lojtari është i rritur në Kosovë apo në ndonjë vend evropian. Sulmuesi më i mirë do të luajë në sulm, pavarësisht se ku është rritur e ku luan. Ka kritere të ndryshme që e caktojnë më të mirin, por assesi ai se ku është rritur e ku është zhvilluar. Nëse lojtari ka vullnetin të luajë për Kosovën, është nga Kosova, atëherë do të luajë, nëse këtë e meriton me kualitet. Të tjerat gjëra nuk kanë fare rëndësi”, ka shtuar Bunjaki.

Ndërtimi i Përfaqësueses

Afrimi i lojtarëve si Valon Berisha megjithatë nuk ishte proces i lehtë. Për Berishën, Bunjakit i janë dashur pesë vjet. Për ndonjë tjetër më shumë e për ndonjë më pak. Bunjaki thotë se as lojtarët nuk e kanë pasur të lehtë, sidomos në fazën kur Kosova ende nuk ishte anëtare e UEFA-s e FIFA-s. Pas pranimit në UEFA e FIFA, në maj të 2016-s, procesi u bë më i lehtë. Por jo pa sfida. Vetë Bunjaki prej vitit 2002 është pjesë e futbollit kosovar, fillimisht përmes projekteve të ndryshme. Ai tregon parimet mbi të cilat është themeluar Përfaqësuesja e futbollit. Në fakt, Përfaqësuesja ka ekzistuar shumë kohë para se Bunjaki të bëhej seleksionues, prej fillimit të viteve nëntëdhjetë. Por deri në vitin 2014 ka pasur aktivitete të kohëpaskohshme, pa ndonjë vazhdimësi.

Për Bunjakin, seleksionimi i lojtarëve që bëjnë karrierë në Evropë ishte një prej pikësynimeve të punës së tij te Kosova. Ai kishte punuar tre vjet si përfaqësues i Federatës Shqiptare të Futbollit në Skandinavi dhe kishte njohuri për lojtarët. Po ashtu, kishte punuar si trajner në Suedi. Gjatë kohës sa ishte përzgjedhës, në drejtim të Bunjakit ka pasur akuza se ai po i anashkalon lojtarët që bëjnë karrierë në Kosovë. Ai e mohon këtë duke paraqitur fakte. Tregon që në seleksionimin e parë të mbajtur në nëntor 2009 morën pjesë 74 lojtarë, që bënin karrierë në Kosovë. Në ndeshjen e parë nën drejtimin e tij, vetëm tre lojtarë ishin të klubeve evropiane. Gjithsej 142 lojtarë ishin te Kosova në kohën e Bunjakit, prej tyre 92 të klubeve kosovare.

Ndërtimi i Përfaqësueses është bërë në faza të ndryshme, ndërsa prej 2016-s Bunjaki thotë se ishte faza e performancës. Ishte koha kur kërkohej cilësi dhe kur lojtarët e rritur në Evropë dhe niveli i tyre bënë dallimin.

Në vitin 2016 nisën të vinin edhe lojtarë që ishin pjesë e përfaqësueseve të tjera, si Valon Berisha, apo që shiheshin me potencial për të luajtur për përfaqësuese të tjera. Bindja e disa prej tyre ka marrë kohë.

“Deri në vitin 2016, secili lojtar që ka ardhur e ka rrezikuar karrierën e tij. Nuk kishte siguri. Janë disa faktorë që kanë ndikuar që lojtarët të binden për të luajtur për Kosovën. Para së gjithash, është korrektësia. Të gjithëve u kam treguar se bëhet fjalë për një projekt afatgjatë, një projekt që është në letër. U kam treguar që kushtet janë shumë të vështira. Ka pasur strategji, ndërsa natyrisht është përdorur edhe karta e patriotizmit. Lojtarët që aktualisht janë bartës të lojës i kemi afruar kur ishin fare të rinj. Dhe kjo u ka dhënë atyre mundësinë që të zhvillohen”, ka treguar Bunjaki.

Hisja e Bunjakit në lojën dhe në sukseset e tanishme

Është loja e bukur që po e karakterizon Përfaqësuesen e Kosovës, pos përkrahjes së madhe dhe entuziazmit që po sjell. Për Bunjakin, loja e bukur, e shpejtë, me aksione të rrjedhshme, nuk është befasi. Në të vërtetë, edhe në kohën e tij Kosova ka luajtur e koncentruar në sulm, në eliminatoret për Botërorin 2018. Por Kosova i humbi nëntë prej dhjetë ndeshjeve dhe kjo i kushtoi me pozitë Bunjakit, që u vu nën presion të madh të opinionit. Por ai nuk hoqi dorë nga mënyra e lojës që është e ngjashme me lojën aktuale. Thotë se loja më së shumti varet nga profili i lojtarëve që ka një përfaqësuese. Për Kosovën e përshtatshme është loja që po e bën tash.

“Ishte e rëndësishme për zhvillimin e mëtejmë të Kosovës mënyra se si luanim ne. Tani po tregohet që ishte mënyra e duhur”, thotë Bunjaki.

Ai thotë se në vitin 2016 ka parashikuar që Kosova do të kualifikohet në “Euro 2020” përmes Ligës së Kombeve. E Kosova është në garë për t’u kualifikuar edhe me kualifikime të rregullta. Muajin tjetër luan me Çekinë dhe Anglinë për të përcaktuar këtë. Për vitin tjetër e ka opsionin rezervë, plejofin e Ligës së Kombeve.

“Eliminatoret për Botëror i kishim për të fituar eksperiencë. Për ‘Euro 2020’ kam thënë se do të kualifikohemi. Objektivat i kemi përcaktuar së bashku me lojtarët më 3 shtator të vitit 2016. Tash Kosova po bën lojë atraktive dhe po ka rezultate pozitive. Përkrahja që ka, buja që ka bërë, është e natyrshme. Por duhet të dihet që në futboll ka edhe rënie, ka rezultate negative. Dhe tifozët duhet t’i qëndrojnë pranë Kosovës edhe nëse eventualisht shfaqet fazë jo e mirë, siç është tash. Ne kemi tifozë fenomenalë. Kemi shumë familjarë në tribuna, dhe kjo dallon shumë prej vendeve të rajonit. Gjithsesi energjinë pozitive që ka sjellë suksesi i Kosovës duhet ta shfrytëzojmë më shumë”, thotë Bunjaki.

Për të pasur sukses në procesin e vështirë të krijimit të Përfaqësueses, Bunjaki thotë se ka qenë kyç njohja e mentalitetit në Kosovë dhe po ashtu përcjellja e trendeve në futbollin evropian. Ndihmës të parë e ka pasur Muharrem Sahitin, për të cilin thotë se e njeh shumë mirë mentalitetin në futbollin kosovar, ndërsa të gjitha vendimet i ka marrë pas konsultimeve me Tord Grip, trajnerin suedez që ka marrë pjesë në shumë kampionate botërore dhe që ka përvojë shumë të gjatë e të suksesshme në futboll.

Përfaqësuesja prej marsit të vitit të kaluar udhëhiqet nga zvicerani Bernard Challandes. Ai, po ashtu, ka dhënë kontribut për krijimin e këtij brendi.

Vendi do të bashkohet sërish më 14 e 17 nëntor, kur Përfaqësuesja e futbollit i luan ndeshjet vendimtare për kualifikim në “Euro 2020”. Ndeshjet e Kosovës me shumë bujë do të përcillen edhe nga diaspora e madhe në Evropë e botë. Dhe nëse ndeshjet mbyllen në të mirë të Kosovës, me shumë mundësi meritorë do të jenë fëmijët e diasporës.