Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mehmedi po bëhet gati për profesionin e trajnerit

Admir Mehmedi ka pasur karrierë të pasur si futbollist. Të tillë dëshiron ta ketë edhe punën si trajner pasi ka nisur kurset për t’u pajisur me licencë. Por, Mehmedi e di se rruga është e gjatë për t’u bërë trajner, e madje edhe trajner i suksesshëm.

Mehmedi aktualisht është në Maqedoni të Veriut, ku po kalon kohë me familjen e tij.

Ai u pensionua nga futbolli aktiv në moshën 32-vjeçare.

Në një intervistë dhënë të premten për mediumin gjerman “Kicker”, Mehmedi ka folur për të kaluarën e tij, të ardhmen, por e ka përmendur edhe Granit Xhakën.

Pensionimi i Mehmedit erdhi dy muaj më parë. Që nga ajo kohë, jeta ka qenë e qetë për ish-futbollistin e Përfaqësueses së Zvicrës.

Mehmedi në Maqedoninë e Veriut po pajiset me licencën B. Ai thotë se mezi pret që të mësojë gjëra të reja e të marrë eksperiencën e duhur para se të nisë punën e re. “Jam ende shumë larg nga pozita e udhëheqësit të ndonjë skuadre. Nuk e di saktësisht se ku do të më dërgojë rruga e nisur”, ka shpjeguar ish-futbollisti i disa skuadrave të njohura evropiane.

Mehmedi është rritur te të rinjtë e skuadrës së Bellinzonas, Winterthurit e Zuerichut. Zuerichu ishte skuadra e tij e parë si senior. Më pas, karrierë ka bërë te Dinamo Kievi i elitës së futbollit ukrainas, Freiburgu, Bayer Leverkuseni e Wolfsburgu në Bundesligë, ndërsa skuadra e fundit ishte Antalyaspori në elitën e futbollit të Turqisë.

Mehmedi e ka pranuar se edhe jeta e një futbollisti nuk është e lehtë, por rol të rëndësishëm mund të kenë trajnerët. “Nuk e di nëse ka ndonjë trajner të përkryer”, thotë ai. Megjithatë, Christian Streich ia ka dhënë atij shtytjen më të madhe në karrierë, me Freiburgun në Bundesligë.

“U takova me të kur gjërat ishin të vështira për mua pas një viti e gjysmë te Dinamo Kievi. Ai m’i ka hapur sytë në nivelin njerëzor e profesional. Ai ka qenë momenti i kthimit në karrierën time, për të cilën do t’i jem gjithmonë mirënjohës”, është shprehur Mehmedi.

Mehmedi te Freiburgu ishte transferuar në korrik të vitit 2014 ku qëndroi për një edicion, e më pas u transferua te Bayer Leverkuseni. Te Leverkuseni ishte për tre vjet, për t’iu bashkuar më pas Wolfsburgut.

E veçanta për Mehmedin është se në këtë fundjavë, dy ish-skuadrat e tij do të luajnë kundër njëra-tjetrës në Bundesligë.

Wolfsburgu të shtunën e pret Leverkusenin në ndeshjen që nis në orën 15:30, dhe i takon xhiros së tetë të elitës së futbollit gjerman.

Leverkuseni është skuadër dukshëm më e fortë këtë edicion, pas përforcimit me Granit Xhakën në qendër të mesfushës.

“Përveç kualitetit dhe sigurisë së jashtëzakonshme të tij, personaliteti i Xhakës është një plus i madh. Kam debutuar te Përfaqësuesja e Zvicrës me të në ‘Wembley’ në vitin 2011. Edhe si i ri në moshë, ai kishte personalitet të fortë”, thotë Mehmedi. Xhaka prej asaj kohe është zhvilluar shumë dhe ka marrë edhe rolin e liderit në skuadrat ku ai ka luajtur.

Megjithatë, Mehmedi shpreson në fitoren 2:1 të Wolfsburgut në këtë vikend.

Mehmedi te Wolfsburgu ka zhvilluar 84 ndeshje dhe ka shënuar 13 gola e 14 asistime.

Edhe me Bayer Leverkusenin pati 86 ndeshje të luajtura, ndërsa realizoi 13 gola e 15 asistime.

Më së shumti paraqitje ka për Zuerichun, 109 gjithsej. Kishte shënuar 29 gola dhe kishte kontribuuar me 13 asistime.

Te Zvicra, Mehmedi ka kontribuuar me 10 gola të realizuar në 76 ndeshje të luajtura.

Ishte pjesë e të gjitha grupmoshave zinxhirë të përfaqësueses helvetike.

Artikuj të ngjashëm