Me një gol dhe vallëzimin që pasoi, sulmuesit e rinj brazilianë të Real Madrid bënë një deklaratë kundër racizmit në futboll fundjavën e shkuar. Me lëvizjet e tyre të vallëzimit samba pas një goli në derbin kundër Atletico Madridit të dielën, Rodrygo dhe Vinicius Junior e bënë të qartë se nuk po zmbrapsen përballë gjuhës raciste të kritikëve të tyre apo nga thirrjet raciste të tifozëve kundërshtarë.
“Vallëzoni kudo që dëshironi”, shkroi Vinicius në Twitter në një mesazh drejtuar Rodrygos pas fitores 2:1 të Realit ndaj Atleticos në ligën spanjolle.
“Vallëzimi i bardhë dhe i zi”, postoi Rodrygo pas pak minutave, së bashku me një foto ku shihej me Viniciusin duke festuar së bashku.
Rodrygo ka shënuar golin e parë të Realin Madridit në këtë derbi, i cili ishte i rrethuar nga polemika mbi festimet e fundit të golave nga ana e Viniciusit. Viniciusi u mërzit kur një i ftuar në një emision sportiv televiziv përdori gjuhë raciste për të kritikuar vallëzimin e tij. Braziliani 22-vjeçar, i cili do të luajë për herë në parë në Kampionatin Botëror në muajin nëntor, tha se veprimet e tij në fushë po “kriminalizoheshin” dhe se suksesi i tij si brazilian në Evropë ishte “i bezdisshëm” për disa. Debati vazhdoi deri pak para fillimit të ndeshjes të dielën, ndërsa videot në internet treguan disa tifozë të Atleticos jashtë stadiumit “Wanda Metropolitano” duke brohoritur “Viniciusi është majmun”.
“Ky derbi ishte edhe më i veçantë për shkak të gjithë asaj që ndodhi gjatë javës së shkuar dhe ne u përgjigjëm në fushë”, tha Rodrygo.
Disa tifozë të Atleticos hodhën gjësende në drejtim të Rodrygos dhe Viniciusit teksa festonin golin pranë njërit prej flamujve të këndit. Emisioni ku Vinicius u kritikua se po “vepron si majmun” kishte kërkuar falje duke thënë se shprehja ishte “e gabuar”, por jo raciste. Përgjegjësit insistuan që këto fjalë zakonisht përdoren në Spanjë për dikë që bën gjëra të pamatura.
Real Madridi kishte lëshuar një deklaratë duke mbështetur Viniciusin dhe duke dënuar racizmin. Trajneri Carlo Ancelotti gjithashtu mbrojti brazilianin. Ancelotti gjithashtu e kundërshtoi lojtarin e tij duke thënë se nuk mendonte se kishte një lloj racizmi të tillë në Spanjë.
Nuk ishte hera e parë që Viniciusi iu nënshtrua talljeve raciste. Kjo ndodhi edhe vitin e kaluar gjatë ndeshjes “El Clasico” kundër Barcelonës në stadiumin “Camp Nou”. Kishte raste të tilla edhe ndaj lojtarëve të tjerë, duke përfshirë Inaki Williamsin e Athletic Bilbaos. Ndër ata që dolën për të mbështetur publikisht Viniciusin ishte Pele dhe sulmuesi aktual i Paris Saint-Germainit, Neymar, të cilët i thanë Viniciusit të “vazhdonte të kërcente”.
Festimi i dyshes të dielën u shpërnda gjerësisht në internet dhe u vlerësua nga shumë njerëz në Brazil dhe Amerikën Latine. Disa lojtarë në Evropë gjithashtu treguan vlerësimin e tyre.
Me siguri do të ketë edhe më shumë vallëzime të tilla në vazhdim, pasi brazilianët po vazhdojnë të shkëlqejnë edhe këtë edicion te Real Madridi.
“Unë po ua përsëris juve racistëve: Unë nuk do të ndaloj së vallëzuari në cilindo stadium”, tha Vinicius.
Me fitoren ndaj Atleticos, Real Madridi mbeti i vetmi ekip me start të përkryer këtë edicion në pesë ligat më të mira evropiane. I prinë tabelës në La Liga me 18 pikë të tubuara pas gjashtë fitoreve në po aq ndeshje të luajtura deri më tani.
“Ne donim një fillim si ky para pushimit të ndeshjeve ndërkombëtare”, tha Ancelotti. “Është një sezon i pazakontë për shkak të Kupës së Botës dhe askush nuk e di se çfarë do të ndodhë. Gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt”.