Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Me Ronaldon në ekip, çdo gjë është e mundur për Unitedin

Ndeshja e 178-të, rekorde, e Cristiano Ronaldos në Ligën e Kampionëve, ishte një nga më të heshturat e portugezit. Por e tillë ishte vetëm për 94 minuta, vetëm deri në momentin kur topi i erdhi në zonë për të thyer zemrat e futbollistëve të Villarrealit në stadiumin “Old Trafford”, të mërkurën mbrëma.

Heroi i kthyer i Manchester Unitedit e shpëtoi ekipin e tij në kohën e duhur duke ia siguruar fitoren 2:1, në një paraqitje tjetër që hodhi shumë dyshime për synimet e “Djajve të Kuq” nën drejtimin e trajnerit Ole Gunnar Solskjaer.

Trajnerit norvegjez i duheshin tri pikët shumë, pas një serie prej tri humbjeve në katër ndeshjet e fundit. Unitedi triumfin ndaj Villarrealit e arriti në sekondat e fundit të takimit. Sidoqoftë, Solskjaer pranoi se Unitedi kishte fat dhe u shpëtua nga portieri David de Gea dhe Cristiano Ronaldo në fund. De Gea pati shumë punë dhe ua mohoi golin Arnaut Danjumas, Paco Alcacerit, Moi Gomezit dhe Boulaye Dias. Megjithatë, ai u dorëzua në minutën e 53-të përballë Alcacerit që e kaloi Villarrealin në epërsi. Goditja spektakolare e Alex Tellesit nga distanca riktheu shpejt barazimin, por për gjysmë ore në vazhdim nuk pati asgjë derisa doli në qendër të vëmendjes golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve - Ronaldo.

“Cristiano Ronaldo e pati vetëm një rast dhe atë e shfrytëzoi për të shënuar. Mirëpo, ai është Cristiano Ronaldo dhe nuk i nevojitet më shumë se një rast”, pranoi mbrojtësi i Villarrealit, Juan Foyth, i cili e kishte mbajtur të qetë gjatë gjithë ndeshjes transferimin më të shtrenjtë të Unitedit, Jadon Sanchon.

Ardhja e Sanchos dhe Raphael Varanes gjatë afatit kalimtar të verës tashmë kishte rritur pritshmëritë te Unitedi për këtë edicion, përpara transferimit mahnitës të Ronaldos nga Juventusi. Në pesë ndeshje për Unitedin prejse u kthye, Ronaldo ka shënuar pesë gola.

Ishte fitorja e parë për Unitedin këtë edicion në Champions, që erdhi pas humbjes turpëruese në xhiron e parë nga Young Boysi (2:1), disfatë që nuk u prit mirë nga askush.

“Kam shkruar historinë me këtë klub dhe dua ta bëj përsëri. Nëse nuk do të kishim fituar kundër Villarrealit, atëherë vështirë se do të kishim mundur të kalonim në fazën tjetër. Por, tani me këtë fitore gjithçka është e mundur për ne dhe e hapur. Jo vetëm që mund të kalojmë tutje, por edhe mund ta fitojmë këtë garë”, ka thënë Ronaldo, i cili me Unitedin e ka fituar një trofe të Championsit.

Edhe Ronaldo realizon në fund të pjesës së parë për Unitedin Sport Ronaldo realizon në fund të pjesës së parë për Unitedin

Tani Unitedi ka tri pikë sikurse Young Boysi, ndërsa grupit i prin skuadra e Atalantas me katër sosh. Megjithatë ende ka dyshime nëse Unitedi mund të avancojë përtej fazës së grupeve për shkak të paaftësisë së Solskjaerit për të nxjerrë më të mirën nga ekipi i tij deri më tani. Ronaldo, Sancho, Mason Greenwood, Bruno Fernandes dhe Paul Pogba ishin në ekipin ofensiv përballë Villarrealit, por ekipi spanjoll me lehtësi depërtonte dhe rrezikonte portën e De Geas.

“Për fat të mirë e kishim në portë njërin prej portierëve më të mirë në botë. Davidi u tregua fantastik dhe shpresoj të vazhdojë me paraqitje të tilla”, tha Solskjaer. “Kjo fitore ka qenë e nevojshme për ne dhe sigurisht që kur e ke në ekip Ronaldon atëherë gjithçka është e mundur”, është shprehur Solskjaer.

Në paraqitjen e tij të 178-të në Champions, Ronaldo e realizoi edhe golin e tij të 136-të në këtë garë. Ai vendosi rekord sa u përket paraqitjeve duke e lënë pas vetes portierin Iker Casillas me 177 ndeshje në garën elitare për klube evropiane të futbollit.