Sport

Me Krasniqin, një tjetër reprezentues potencial po rritet te Zuerichu

Luhej minuta e 48-të dhe Bledian Krasniqi po e kërkonte me ngulm topin në zonë. Topi i erdhi dhe 20-vjeçari gjuajti menjëherë në drejtim të portës. Falë edhe një devijimi nga Boris Cespedes, topi përfundoi në rrjetë dhe Zuerichu kaloi në epërsi. Doli të jetë gol vendimtar i sfidës mes Zuerichut dhe Servettes. Zuerichu të shtunën mbrëma fitoi 1:0, në kuadër të xhiros së 19-të të Superligës së Zvicrës.

Festa e Krasniqit ishte e madhe kur u shënua goli, ndërsa vazhdoi edhe pas vërshëllimës së fundit të arbitrit. Krasniqi kishte arsye për të festuar me tifozët e Zuerichut.

Ishte goli i tij i parë në Superligën e Zvicrës, goli i parë në stadiumin “Letzigrund” dhe tri pikë të reja për Zuerichun, që po shkon sigurt drejt titullit të 13-të të kampionit të Zvicrës.

Faqja zyrtare e Superligës së Zvicrës e ka evidentuar shënimin si autogol, por Zuerichu e evidenton Krasniqin si realizator.

“Goli i parë në Superligë”, ka shkruar menjëherë pas ndeshjes klubi zviceran, duke publikuar tri fotografi të Krasniqit.

“Një gjuajtje, tri pikë. Goli i Bledian Krasniqit për fitore në nismë të fazës së dytë të kampionatit”, shkruan në një postim tjetër të Zuerichut, që shënoi fitoren e shtatë rresht në Superligë.

Mesfushori i lindur në Zvicër e me prejardhje nga Gjilani, është pjesë e Zuerichut tash e dymbëdhjetë vjet. Për dy vjet u huazua te Wili në kategorinë e dytë të Zvicrës. U rikthye te Zuerichu në verën e vitit të shkuar dhe në këtë edicion ka luajtur në 18 ndeshje në të gjitha garat. Ka kontribuuar me tri asistime. Për të është edicioni i parë në Superligë.

“Te Zuerichu jam tash e dymbëdhjetë vjet dhe gjithmonë ka qenë një ëndërr të shënoj gol në stadiumin ‘Letzigrund’, para tifozëve të Zuerichut”, ka thënë Krasniqi të dielën për KOHËN.

Pjesë e Zuerichut janë edhe katër futbollistë shqiptarë: Fidan Aliti, Mirlind Kryeziu, Blerim Xhemaili dhe Lindrit Kamberi. Të gjithë janë të padiskutueshëm në formacionin e Zuerichut, përveç Kamberit që ka më pak minuta. Aliti e Kryeziu ftohen nga Kosova, ndërsa Xhemaili ka të kaluar të gjatë te Zvicra.

Me Krasniqin, Kosova ka një reprezentues tjetër potencial te Zuerichu. Apo ndoshta Zvicra. Ai nuk dëshiron të flasë për temën e përfaqësueses. Krasniqi ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja helvetike.

“Të gjithë në skuadër kemi raporte të mira. Ne mundohemi të jemi të gjithë të bashkuar dhe t’i marrim ndeshjet një nga një. Për momentin unë jam shumë i lumtur. Jemi të lumtur të gjithë për formën nëpër të cilën po kalojmë”, theksoi Krasniqi.

Në “Letzigrund” të Zuerichut në muajin mars zhvillohet miqësorja mes Kosovës dhe Zvicrës.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Për momentin jam i fokusuar te skuadra”, u shpreh Krasniqi kur u pyet nëse mund të jetë në ndonjërën përfaqësuese për miqësoren në Zuerich.

Krasniqi në qershor të vitit të kaluar pati thënë për KOHËN se nuk ia mbyll derën Kosovës.