Sport

Me gjithë telashet e mëdha, Kosova fiton ndeshjen ndaj Luksemburgut

Një fitore që është vlerësuar shumë lart e ka arritur të premten mbrëma Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll (femrat).

Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Kosova e mposhti Luksemburgun me shifrat 33:27. Për hendbollistet kosovare ishte fitorja e dytë në kuadër të grupit A të fazës së parë kualifikuese për Euro 2022. Kosova të enjten e mposhti Qipron, ndërsa të shtunën duhet ta luajë ndeshjen vendimtare për kalim tutje ndaj Portugalisë. Edhe Portugalia i fitoi dy ndeshjet, me Luksemburgun e Qipron.

Kosova është përballur me telashe të mëdha të enjten e të premten dhe për këtë arsye fitorja është çmuar, ndonëse Luksemburgu nuk ka ndonjë nivel të lartë.

Selektori Agron Shabani kishte në dispozicion për ndeshje vetëm dhjetë lojtare, e jo 16 sa duhet të jenë. Tri prej tyre ishin portiere, ndërsa Meltem Ylberi nuk ishte në gjendjen më të mirë shëndetësore dhe nuk u aktivizua fare. Në një penallti u aktivizua portierja Rinesa Uka, ndërsa portierja tjetër Blerta Ahmetxhekaj mbeti në stol. Pra, tërë ndeshjen Kosova e ka zhvilluar me vetëm shtatë lojtare.

Në hendbollin modern nuk mendohet që skuadra të luajë me vetëm një përbërje për 60 minuta. Por, Arlinda Hajdari, njëra prej lojtareve kryesore të Kosovës, pësoi lëndim të rëndë ndaj Qipros. Munguan edhe shumë lojtare për shkak se të enjten e të premten kishin rezultat pozitiv në testin ndaj koronavirusit. Gjendja me koronavirus në ekipin e Kosovës e vë në rrezik sfidën me Portugalinë, pasi numri i lojtareve te Kosova është në kufirin e të lejuarës. Testim tjetër do të bëhet të shtunën paradite.

Të motivuara nga gjendja e krijuar, lojtaret e Kosovës nisën furishëm ndeshjen. Pashke Marku ishte e pandalshme, ndërsa u ndihmua shumë edhe nga kreatorja e lojës, Marigona Hajdari, por edhe nga Albina Rugova, Suzana Ujkiq, Aida Stagova e Alma Nivokazi. Formë shumë të lartë shfaqi portierja dhe kapitenia e Kosovës, Njomza Kelmendi. Te Luksemburgu është paraqitur Dea Dautaj, që realizoi dy gola.

“Gjendja ka qenë shumë e vështirë, sidomos pas lëndimit të Arlindës dhe mungesave për shkak të koronavirusit. Mbetëm pak lojtare, por kemi dhënë më të mirën dhe falë lojës së mençur dhe me zemër, kemi arritur te fitorja”, ka thënë Marigona Hajdari.

“Përgëzoj vajzat për angazhimin. Me të vërtetë kemi dëshmuar se kemi cilësi dhe kemi dëshirë për ta përfaqësuar vendin si duhet. Ndonëse me pak lojtare, kemi shënuar një fitore që shpresojmë të jetë e rëndësishme për të ardhmen e hendbollit kosovar”, ka theksuar kapitenia Kelmendi.

Luksemburgu rriti ritmin në pjesën e dytë dhe u afrua deri në dy gola. Por, selektori Agron Shabani dhe ekipi e menaxhuan mirë takimin dhe shënuan njërën prej fitoreve më të rëndësishme të Përfaqësueses së Kosovës.