Sport

Mburrje në Prishtinë për suksesin e Rrahmanit në Itali

Jeta sjell shumë të papritura. Këtë e dëshmon rasti i Amir Rrahmanit.

Përpara se ta fitonte titullin e kampionit të Italisë me Napolin, Rrahmani ka përballuar shumë vështirësi në karrierë. Bëri disa ndalesa dhe kaloi barriera para se t’i bashkohej Napolit në vitin 2020. Me këtë skuadër tani po shkruan histori.

Jo shumë larg nga fusha e stadiumit të Ramiz Sadikut, Amir Rrahmani nisi karrierën në futboll. Hapat e parë i mori në shkollën e futbollit “Kosova e Prishtinës”, që stërvitjet i zhvillonte në një fushë të improvizuar në afërsi të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Ka qenë viti 2002 kur Amir Rrahmani për herë të parë erdhi në klubin tonë Kosova e Prishtinës. Stërvitjet i zhvillonim në një fushë, ku gjendet tash Spitali Amerikan. Kushtet ishin shumë të vështira, por duke pasur parasysh dëshirën dhe vullnetin e tij me punë profesionale ka arritur kulmin që ka tash te Napoli”, kujton trajneri Haki Bllacaku.

VIDEO:

Ai thotë se ka qenë trajneri i parë i Amirit. Por Bllacaku nuk i merr të gjitha meritat. Thekson se pas tij Amiri ka kaluar edhe në duart e Avni Gashit, Ilir Sopit dhe Enver Fazliut.

“Për periudhë të shkurtër u dallua se Amiri do të jetë perspektivë e futbollin kosovar. Në vitin 2003 udhëtuam për të marrë pjesë në një turne në Francë, ishte aty edhe legjenda Fadil Vokrri. E kemi zënë vendin e dytë dhe lamë një përshtypje shumë të mirë. Pastaj rrugëtimi i Amirit vazhdoi në U13. Pas meje trajner i Amirit ka qenë Avni Gashi dhe pastaj Ilir Sopi. Por, përkujdesjen më të madhe të tij e ka pasur Enver Fazliu – Bushi”, tregon Bllacaku.

Bllacaku thotë se kapiteni i Kosovës ka pasur qasje të profesionistit edhe si fëmijë.

“Çdo trajner është krenar me të arriturat e lojtarit të tij. Kosova e Prishtinës ka pasur talente, por arritja më e madhe është e Amir Rrahmanit”, thotë Bllacaku për KOHËN.

Të rralla janë fotografitë e Amirit gjatë periudhës te Kosova e Prishtinës. Mbrojtësi i qendrës nuk ka fshehur të kaluarën e tij, ndonëse në raste të rralla ka folur për të.

Një prej rasteve kur Rrahmani ka folur për hapat e parë është intervista për KOHËN në vitin 2019.

“Babai im ka qenë ai që më ka shtyrë të merrem me futboll. Të them të drejtën nuk e kam pasur dëshirë sepse, nuk e di, ndoshta në atë kohë ka qenë më mirë të luaja me shokët në lagje sesa të luaja në një ekip. Por, është babai që më ka shtyrë të merrem me futboll dhe kam filluar në Kosovën e Prishtinës që në moshën 8-vjeçare. Nga Kosova e Prishtinës kam kaluar në Ramiz Sadiku. Kur kam qenë në moshën 15-vjeçare si kadet kam qëndruar pak, kurse si junior ndoshta i kam luajtur dy apo tri ndeshje dhe menjëherë kam kaluar në gjeneratën e seniorëve. Në ekipin e parë të Ramiz Sadikut kam qenë për dy sezone, pastaj te Drenica në Superligë në moshë të re. Isha ndër më të rinjtë aty”, pati thënë Rrahmani për KOHËN më 2 korrik të vitit 2019.

Lideri aktual i Kosovës te Ramiz Sadiku debutoi ende pa mbushur 18 vjet. Mundësinë për të debutuar si senior te skuadra e Ramiz Sadikut ia dha trajneri Avni Islami. Islami ka qenë edhe bashkëlojtar i Amirit, ndërsa përkrah tij në mbrojtje ka luajtur Gëzim Jerliu. Jerliu, që atëbotë ishte kapiten i Ramiz Sadikut, thotë se vendimin për ta angazhuar në ekipin e parë Islami e ka marrë bashkë me Agron Mecinajn.

“Mundësinë ia ka dhënë Agron Mecinaj qysh si kadet të luajë për seniorë. Jo vetëm Amirit por edhe shumë të rinjve ua ka dhënë këtë mundësi”, thotë Jerliu. Ai ndihet krenar që ka luajtur përkrah Amir Rrahmanit.

“Ka qenë tandem me mua në qendër të mbrojtjes dhe ndihem krenar me punën e Amirit. Që nga ajo kohë është parë që Amiri do të arrijë shumë. Me punë ka arritur në nivelin më të lart dhe sot feston titullin e kampionit në Itali”.

Pasi u paraqit për Ramiz Sadikun, Rrahmani bëri një hap tjetër para. U transferua te Drenica në Superligë për të vazhduar me hapa tjerë të mëdhenj. Në Kroaci luajti për Splitin, Lokomotivën e Zagrebit dhe gjigantin Dinamo Zagreb.

Në vitin 2019 nga Dinamo kaloi te Hellas Verona në Serie A. U detyrua të priste rastin në klubin e Serie A. Pas paraqitjeve të mira, në janarin e vitit 2020, Rrahmani firmosi kontratë me Napolin. Edhe te Napoli shfrytëzoi rastin e dhënë dhe u bë i rregullt.

Është lojtari i parë i Përfaqësueses së Kosovës me titull të kampionit në top-pesë ligat evropiane. Dhe shihet si shembull që duhet ndjekur nga të rinjtë kosovarë. Shembull që edhe ëndrrat më të mëdha mund të realizohen.