Milani ka listë të gjatë të mbrojtësve të mëdhenj, duke përfshirë lojtarë si Paolo Maldini, Alessandro Nesta, Alessandro Costacurta dhe Franco Baresi. Fikayo Tomori mund ta gjejë veten në këtë listë gjithashtu nëse ndihmon Milanin t'i japë fund pritjes së gjatë për trofeun e Ligës së Kampionëve. “Kuqezinjtë” janë të dytët pas Real Madridit me shtatë tituj të fituar në Evropë, por nuk e kanë ngritur trofeun që nga viti 2007.
Tomori dhe shokët e tij duhet të kalojnë një gjysmëfinale kundër rivalit të qytetit, Interit, duel që po quhet “Euroderby” në Itali.
“Nuk mund të jetë derbi më i madh, duke pasur parasysh se është gjysmëfinalja e Championsit”, pranoi Tomori të martën, një ditë para duelit që luhet në stadiumin “San Siro”.
Milani u kualifikua në gjysmëfinale duke e eliminuar një tjetër skuadër italiane në çerekfinale, Napolin, me rezultatin e përgjithshëm 2:1. Ky triumf i Milanit erdhi pak ditë pas fitores ndaj Napolit 4:0 në Serie A. Napoli së fundmi fitoi ligën italiane, me pesë xhiro të mbetura deri në fund. Ekipi mori lëvdata në të gjithë Evropën për stilin sulmues që po e aplikon.
Ato fitore ndaj Napolit i kanë dhënë Milanit “shumë besim” para përballjeve me Interin, pranoi Tomori.
“Ne e dimë se mund të përballemi me skuadrat më të mira në Evropë dhe mendoj se tani mund të konsiderohemi si një nga ekipet më të mira evropiane”, insistoi ai.
Mbrojtësi 25-vjeçar vështirë se mund të shpresonte për një fillim më të mirë të jetës në qytetin e Milanos. Reprezentuesi anglez u huazua te Milani nga Chelsea në janar të vitit 2020 dhe u stabilizua me shpejtësi si lojtar i rregullt në zemrën e mbrojtjes së kuqezinjve, duke e shtyrë ekipin italian ta bënte transferim të përhershëm. Ai e ndihmoi Milanin ta fitonte titullin e kampionit të Italisë në edicionin e parë të plotë dhe ka qenë kyç në ecurinë e ekipit në Champions, duke fituar çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes pas barazimit 0:0 ndaj Tottenhamit që siguroi kalimin e kuqezinjve në çerekfinale.
“Fitimi i ‘Sccudetos’ ishte fantastik. Ne të gjithë jemi vërtet të fokusuar për ta kthyer Milanin aty ku ishte më parë”, u shpreh Tomori.
Në gjysmëfinalen tjetër, Real Madridi përballet me Manchester Cityn. Cilado skuadër që do të fitojë atë përballje do të konsiderohet favorite për ta ngritur trofeun, pasi klubet e Milanos vetëm së fundmi kanë bërë rrugën e tyre për t'u rikthyer në nivelin më të lartë evropian.
“Kundër Napolit shumë njerëz na eliminuan. Nëse arrijmë në finale, ata njerëz do të na eliminojnë përsëri, por ne jemi gati ta dëshmojmë fuqinë tonë”.
Nëse Milani e fiton Ligën e Kampionëve, një lojtar që nuk do të marrë medalje është sulmuesi Zlatan Ibrahimoviq, i cili nuk e ka fituar kurrë këtë garë. Ai është duke u rikuperuar nga operacioni dhe është lënë jashtë listës së ekipit për Champions. Por Tomori beson se meritat më të mëdha për suksesin e Milanit i takojnë suedezit 41-vjeçar.
“Mënyra se si ai flet, mënyra se si e sheh lojën, kërkesat që i bën vetes, kërkesat që u bën atyre përreth tij, ekipit janë unike. Ai gjithmonë kërkon më të mirën”, tha Tomori. “Patjetër, nëse nuk do ta kishim në skuadër, nëse nuk do ta kishim në dhomën e zhveshjes, gjërat do të kishin qenë ndryshe. Ai është gjithmonë duke folur me lojtarët, duke i motivuar dhe duke u siguruar që të gjithë ta japin maksimumin”.
Një tjetër ikonë e Milanit që ka ndihmuar personalisht Tomorin është Maldini. I quajturi “Il Capitano”, Maldini e kaloi të gjithë karrierën te Milani dhe ndihmoi ekipin të fitonte pesë trofe të Ligës së Kampionëve. Maldini doli në pension në vitin 2009, por u kthye në klub si drejtor pesë vjet më parë. “Nuk e kam menduar kurrë se do të jem në situatë që do të flas me Paolo Maldinin”, tha ai. “Dhe që kur kam ardhur, ai gjithmonë më ka ndihmuar, gjithmonë më ka këshilluar”.
Maldini dhe Tomori janë duke u përpjekur ta mbajnë gjallë brezin e mbrojtësve të mëdhenj të Milanit.