Qendërmbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Mërgim Mavraj, pritet që shumë shpejt të marrë shiritin e kapitenit tek Ingolstadti, ekip që garon në Bundesliga 2, kanë njoftuar mediumet gjermane.
32-vjeçari ka filluar të kthehet në lider tek Ingolstadti, ekip të cilit iu bashkua gjatë afatit kalimtar të janarit pas largimit nga Arisi i Greqisë, përcjell Koha Ditore.
Ai në ndeshjen e fundit kampionale ndaj Koelnit, është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes pas votave të tifozëve në sondazhin e publikuar në uebfaqen e klubit.
Mavraj deri më tani ka pesë paraqitje për klubin që renditet i parafundit në tabelë me 19 pikë të tubuara pas 24 xhirove të zhvilluara. Ai ka kontratë me Ingolstadtin deri në verën e vitit të ardhshëm, kurse karrierë ka bërë edhe te Hamburgu, Koelni, Greuther Fuerthi, Bochumi e Darmstadti.
Mavaraj prej vitit 2012 është reprezentues i Shqipërisë dhe deri më tash ka 48 paraqitje dhe tre gola të shënuar.