Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Maroku shkarkon trajnerin që e kualifikoi në botëror - Vahid Halilhoxhiq

Presidenti i Federatës së Futbollit të Marokut ka shkarkuar trajnerin Vahid Halilhoxhiq nga posti i trajnerit, bëjnë të ditur mediat nga vendi afrikan të martën.

Fouzi Lekjaa vendosi të shkarkojë ekspertin boshnjak për të përmbushur dëshirën e shumë tifozëve marokenë, të cilët janë të pakënaqur, meqë Halilhoxhiq largoi nga përfaqësuesja yjet e ekipit Hakim Ziyech dhe Noussair Mazraoui, transmetoi portali “Lions de L'Atlas” të martën.

Sipas këtij portali, Halilhoxhiq do të shkojë në Marok në ditët në vijim me qëllim që zyrtarisht të ndërpresë kontratën dhe të marrë dëmshpërblimin.

Halilhoxhiq u bë trajneri i parë në histori që arriti të kualifikojë në Kupën e Botës katër kombëtare të ndryshme. Pos me Marokun, këtë e bëri edhe me Bregun e Fildishtë, Algjerinë dhe Japoninë. Në fakt, ai mori pjesë në botëror vetëm me Algjerinë, pasi u shkarkua edhe nga Japonia e Bregu u Fildishtë para ngjarjes së madhe.

Sipas Lions de L'Atlas, tash dihet edhe emri i pasuesit të Halilhoxhiqit. Bëhet fjalë për ekspertin portugez Andre Villas-Boas, me të cilin Lekjaa tashmë ka zhvilluar bisedime dhe mbetet vetëm të bien dakord për kushtet financiare.