Pas paraqitjes së bujshme në Kupën e Botës “Katari 2022”, Përfaqësuesja e Marokut mund të bojkotojë Kampionatin Afrikan muajin e ardhshëm për shkak të një mosmarrëveshjeje diplomatike me Algjerinë mikpritëse të turneut. Federata e Futbollit të Marokut, tha se ekipi i saj do të garojë vetëm nëse ka një fluturim të drejtpërdrejtë nga kryeqyteti maroken Rabat për në qytetin algjerian Constantine, ku janë planifikuar të luhen ndeshjet e Marokut.
Avionët ushtarakë dhe komercialë marokenë janë ndaluar nga hapësira ajrore algjeriane që kur dy vendet fqinje ndërprenë marrëdhëniet diplomatike vitin e kaluar. Mosmarrëveshja e tyre është e lidhur me çështje të shumta, duke përfshirë Saharanë Perëndimore të kontestuar, një territor që Maroku e aneksoi në vitin 1975 dhe për të cilin banorët e tij të mbështetur nga Algjeria kanë kërkuar prej kohësh pavarësinë.
Federata marokene nëpërmjet një deklarate tha se i kishte shkruar Bashkimit Afrikan për procedurat për ngjarjet sportive afrikane dhe “lehtësimin e kushteve të ekipeve pjesëmarrëse”. Në letrën e saj, federata marokene kërkoi që ekipi të mund të fluturonte drejtpërdrejt në Constantine me një aeroplan privat të kompanisë “Royal Air Maroc”, transportues zyrtar i ekipeve të Marokut.
Qeveria e Algjerisë nuk i është përgjigjur publikisht kërkesës. Kampionati Afrikan përfshin lojtarë të klubeve lokale dhe zhvillohet nga 13 janari deri më 4 shkurt. Maroku është planifikuar të luajë kundër Sudanit, Madagaskarit dhe Ganës në fazën e grupeve. Maroku u bë vendi i parë afrikan ose arab që arriti në gjysmëfinale të Kupës së Botës në turneun e këtij viti në Katar.