Sport

Marmarinos, i rezervuar për Bamforthin, pret përkrahje të madhe në “Minatori”

Grumbullimin me përfaqësuese të amerikanit të natyralizuar, Scott Bamforth, Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e ka vlerësuar “të veçantë”. Përzgjedhësi i Kosovës, Christos Marmarinos, të shtunën ka publikuar listën e 13 lojtarëve për ndeshjen kundër Norvegjisë.

Ndeshja Kosova – Norvegjia luhet të dielën dhe i takon fazës së parë parakualifikuese për “Eurobasket 2025”. Përfaqësuesja e Kosovës ka nisur të shtunën stërvitjet, kurse Bamforth do t’i bashkohet ekipit të mërkurën, ka njoftuar Marmarinos.

Bamforthi për herë të parë do të luajë nën urdhrat e Marmarinosit. Ai së fundi ishte pjesë e Kosovës para afro pesë vjetësh, kur në krye të përfaqësueses ishte amerikani Brad Greenberg.

Fundori Bamforth ndeshjen e fundit me fanellën e Kosovës e luajti më 19 gusht të vitit 2017 ndaj Estonisë, në kuadër të parakualifikimeve për Botërorin “Kina 2019”. Kosova e fitoi atë ndeshje në Prishtinë me shifrat 75:69, kurse Bamforth pati dhjetë pikë, shtatë kërcime e tri asistime për 29 minuta lojë. Bamforthi është natyralizuar në vitin 2016 dhe deri më tani ka vetëm katër ndeshje me Kosovën. Selektori Marmarinos beson se me Bamforthin ekipi është kompletuar për duelin me Norvegjinë. Bamforth është pjesë e ekipit elitar të Francës, Le Mans, dhe këtë edicion po luan me mesatare prej 13.1 pikëve, 4.2 asistimeve dhe 3.3 kërcimeve për ndeshje.

“Do të shohim me Scottin pasi tashmë kemi 12 basketbollistë. Ai besoj se do t’i bashkohet ekipit më 23 shkurt. Scottin ende nuk e kam parë në stërvitje, kështu që pa e parë, nuk mund të flas për të, pasi edhe atij i duhen ca ditë të stërvitet”, ka thënë Marmarinos të hënën për KOHËN.

Dueli me Norvegjinë i takon Grupit C, të cilit i prin Kosova me tri pikë pas dy ndeshjeve të zhvilluara. Norvegjia i ka dy pikë nga një ndeshje e Danimarka një pikë nga një ndeshje. Më 25 nëntor, Kosova kishte pësuar nga Norvegjia në udhëtim me shifrat 86:77. Më 28 nëntor, Kosova kishte fituar ndaj Danimarkës me shifrat 78:73. Të enjten është ndeshja Danimarkë – Norvegji.

Kosova ndeshjen e fundit e luan më 30 qershor, në udhëtim ndaj Danimarkës.

“Kemi shumë punë për të bërë. Ne e kemi parasysh drejtimin dhe punën që duhet ta bëjmë dhe tani është koha që të qëndrojmë të fokusuar. Djemtë janë të bashkuar, në gjendje dhe atmosferë të mirë. Mua dhe stafit na mbetet që t’i përgatitim në mënyrën më të mirë të mundshme për ndeshjen me Norvegjinë”, ka thënë Marmarinos. “Është një mundësi e mirë për njerëzit e Mitrovicës që të vijnë dhe ta përkrahin këtë grup të veçantë”.

Vetëm pak para ndeshjes, përzgjedhësi Marmarinos do të vendosë për lojtarin që do të mbetet jashtë. Marmarinos ka thënë se do të kishte llogaritur edhe në disa lojtarë të tjerë që janë natyralizuar së fundmi por ka shtuar se atyre u duhet fletëlëshimi nga federatat përkatëse për të qenë në gjendje ta përfaqësojnë Kosovën. Jan Palokaj, Lejson e Jetmir Zeqiri që janë pjesë e Sigal Prishtinës së fundmi janë pajisur me pasaporta kosovare, sikurse Amin Hot i Trepçës e Daniel Lekndrejaj i Pejës. Madje Hot kishte deklaruar se ka marrë ftesë.

“Situata nuk është e qartë për shumicën prej tyre. Vëllezërit Zeqiri kanë luajtur për Maqedoninë e Veriut dhe u duhet fletëlëshimi nga federata e tyre, gjë që nuk e shoh të vijë së shpejti. Situata është e njëjtë edhe me Palokajn. Hot po luan si lojtar i natyralizuar por më mirë e dinë në federatë”, ka shtuar Marmarinos.

Fituesi i grupit avancon në rundin e dytë të parakualifikimeve. Avancon edhe përfaqësuesja e vendit të dytë me bilancin më të mirë në të tri grupet.