Sulmuesi i krahut, Sadio Mane e ka thyer heshtjen në lidhje me përleshjen që e ka pasur me bashkëlojtarin e tij te Bayern Munichu, Leroy Sane, muaj më parë. Ish-lojtari i Liverpoolit, i cili së fundmi është votuar si lojtari më zhgënjyes në Bundesligë për edicionin 2022/23, në muajin prill pati një problem të madh me Sanen. Pas humbjes së Bayernit në udhëtim te Manchester City (3:0) në Ligën e Kampionëve, Mane dhe Sane patën një fjalosje të ashpër në zhveshtore pas ndeshjes, ndërsa senegalezi e grushtoi sulmuesin gjerman. Për këtë veprim, Mane u gjobit me 300 mijë euro nga Bayerni – gjoba më e lartë në histori të klubit – dhe u pezullua me një ndeshje moslojë.
Sane mbeti me buzë të gjakosur, ndërsa situata ka mundur të eskalojë edhe më shumë sikurse mos të kishin ndërhyrë lojtarët e tjerë të Bayernit për ta larguar senegalezin Mane. Ata ishin parë duke u grindur në fushë derisa po largoheshin për t’u futur në zhveshtore pas humbjes së Bayernit në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit. Ndërsa, grindjen e vazhduan edhe në zhveshtore, ku Sane përfundoi i grushtuar nga Mane.
Pas këtij incidenti, dyshja kishin ftohur tërësisht raportet, por Sane i kishte kërkuar klubit që të mos e përjashtonte Manen pas veprimit të tij. Në fakt, Mane nuk u përjashtua, por Bayerni tashmë e ka nxjerrë në shitje 31-vjeçarin për arsye disiplinore. Pas më shumë se dy muajve, duket se Mane ka reflektuar ndaj incidentit, të cilin e ka quajtur si tejet të shëmtuar, gjë që e ka pranuar në një intervistë të mërkurën.
“Gjërat e tilla mund të ndodhin në një klub futbolli dhe kjo ka ndodhur te Bayerni muaj më parë. Përkundër asaj situate të shëmtuar, unë dhe Sane tashmë e kemi zgjidhur këtë problem të vogël dhe raportet janë të mira mes nesh, pasi për këtë e kemi njoftuar edhe klubin”, është shprehur Mane. “Nganjëherë është mirë që problemet e tilla që lojtarët i kanë në fushë të zgjidhen, por jo në mënyrën siç e bëmë unë dhe Sane. Tashmë, ajo përleshje i takon së shkuarës. Tani, do të luftojmë së bashku për ta ndihmuar klubin që të arrijë objektivat në edicionin e ri”.
Mane ka pranuar se edicioni i parë te Bayerni nuk ishte aspak i mirë. Ai ka thënë se edhe vetë ka mbetur i zhgënjyer me atë që ka treguar, ndonëse ka shtuar se ka pritur një gjë të tillë, duke pasur parasysh se i është nevojitur kohë për t’u adaptuar në një ambient dhe kampionat të ri. Mane prej vitit 2014 ka luajtur në Premier League, fillimisht me Southamptonin pastaj me Liverpoolin, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2022. Me Bayernin, ai ka kontratë deri në vitin 2025, kurse në edicionin e fundit, pati 12 gola e 6 asistime në 38 paraqitje në të gjitha garat.
“Ishte me të vërtetë një edicion i komplikuar, dhe kjo mund t’i ndodhë çdo futbollisti. Nuk ishte befasi për mua, pasi kam pritur që gjërat të jenë të vështira kur vendosa t’i bashkohem Bayernit. Kjo është normale”, ka shtuar Mane. “Megjithatë, mua më pëlqejnë sfidat dhe Bayerni është një sfidë e madhe. Tani, gjithçka varet prej meje për të bërë të pamundurën që të tejkaloj me sukses këtë sfidë”.
Te Bayerni janë në pritje të ofertave për Manen, për të cilin paguan 40 milionë euro për ta transferuar verën e shkuar. Mediumet gjermane kanë bërë të ditur se Mane është në mesin e shtatë lojtarëve, për të cilët trajneri Thomas Tuchel ka dhënë dritën e gjelbër për t’u larguar këtë verë nga klubi. Krahas tij, në listën e largimeve janë edhe Leroy Sane, Serge Gnabry, Bouna Sarr, Alexander Nuebel, Marcel Sabitzer dhe Benjamin Pavard. Së fundmi, interesim për reprezentuesin e Senegalit ka shfaqur ekipi nga Arabia Saudite, Al-Ettifaq.
“Nëse gjithçka shkon mirë dhe ashtu siç e kam planifikuar, unë do të rikthehem te Bayerni dhe do të jem pjesë e ekipit në edicionin e ri”, ka insistuar Mane.