Seleksionuesi i Italisë, Roberto Mancini ka thënë se ka gjëra tjera më të rëndësishme tash sesa Evropiani 2020 i futbollit.
Mancini ka dhënë një intervistë për “Rai Sport” për situatën e krijuar nga koronavirusi COVID-19, që ka ndal gjithë sportin.
“Ne duhet të lëmë lojtarët në shtëpi. Ata janë profesionistë dhe e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Varësisht se kur dhe nëse do të rinisë liga, ata do të kenë dhjetë ditë apo dy javë kohë për të stërvitur rregullisht”, ka thënë Mancini.
UEFA do të mbajë një video-konferencë të martën me përfaqësues të klubeve, ligave dhe të 55 federatave anëtare, për të biseduar për fatin e Euro 2020 dhe të garave tjera të futbollit.
“Ne duhet të presim deri të martën dhe të mësojmë nëse UEFA do të vendos të shtyjë Euro 2020. Problemet që kemi pasur në Itali në 15 ditët e fundit tash do të shihen në shtetet tjera. Nuk e di se si do të mbarojë. Por, pa asnjë dyshim, ka gjëra më të rëndësishme sesa Euro 2020. Me rëndësi është shëndeti i të gjithëve. Duke parë njerëzit duke vdekur në ditët e fundit na ka lënduar tepër”, ka thënë Mancini. “Unë për Evropian kam pasur një listë gati, me pak dyshime. Por, nëse turneu pezullohet për një vit, atëherë do të ketë ndryshime tjera”.