Drejtori teknik i Milanit, Paolo Maldini ka thënë se vazhdimi i kontratës së Zlatan Ibrahimoviqit “varet nga ai”. Ibra ka shënuar 14 gola në 11 ndeshje në Serie A deri më tani këtë sezon me “rossonerët, që prijnë në krye të tabelës. Kontrata e suedezit me Milanin skadon në fund të këtij sezoni.
“Ne jemi një nga skuadrat më të reja në Evropë dhe kemi nevojë për një lider si Ibrahimoviq”, ka thënë Maldini për “BeinSport”. “Ne u përpoqëm ta kthenim atë në vitin 2018 kur ai po luante për LA Galaxy. Ai ka thënë se zgjatja e kontratës varet nga trupi i tij, por nëse ai vazhdon kështu, nuk e shoh pse nuk duhet ta vazhdojmë”, ka theksuar Maldini.
Ai ka folur edhe për situatën e Theo Hernandezit, duke shtuar se është i kënaqur dhe se synon të bëhet titullar i rregullt te Franca.
“Kur u takova e kuptova se ai është një djalë shumë i arsyeshëm, synimi i tij është të jetë në mesin e tre më të mirëve në rolin e tij dhe të bëhet titullar i rregullt te Franca”, ka thënë legjenda Maldini.