Sport

Luftëtari Modriq i prirë për ta rrëzuar Cityn e Guardiolas

Mesfushori i Real Madridit, Luka Modriq

Mesfushori Luka Modriq orkestroi rikthimet e mëdha të Real Madridit kundër Paris Saint-Germainit dhe Chelseat, ndërsa tani 36-vjeçari ka Manchester Cityn dhe një tjetër finale të Ligës së Kampionëve në horizontin e tij, ka shkruar AFP. Pasimi magjepsës i Modriqit me trinën e jashtme të këmbës së djathtë për Rodrygon ishte reagimi që e ringjalli Realin kundër Chelseat - në çerekfinale të Championsit – pikërisht në momentin kur ekipi spanjoll dukej se “kishte vdekur dhe ishte varrosur”.

Pasimi i tij milimetrik mes këmbëve të mbrojtësit Presnel Kimpembe që përfundoi me gol të Karim Benzemas u dha jetë spanjollëve kundër PSG-së, duke barazuar një garë që deri në atë moment kishte shkuar pothuajse tërësisht në favor të kundërshtarëve. Mjeshtëria dhe dredhia e Modriqit, së bashku me përfundimin e pamëshirshëm të Benzemas, kanë qenë armët më shkatërruese të Real Madridit gjatë rrugës për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e parë do të zhvillohet të martën mbrëma në “Etihad Stadium” të Manchester Cityt. Por mesfushorit i Kroacisë është gjithashtu një luftëtar, duke e ngritur lart Realin në momentet më të dëshpëruara përmes grintës, elasticitetit dhe forcës së tij të vullnetit. Dy minuta para se të mashtronte PSG-në me atë pasim te Benzema në 1/8 e finales, Modriqi tashmë e kishte ngritur “Santiago Bernabeun” në këmbë. PSG-ja ishte në epërsi totale 2:1 dhe Lionel Messi kishte nisur një kundërsulm, duke u larguar nga gjysma e tij, gati për të nisur një aksion të rrezikshëm përpara se të përplasej në krahun e djathtë të Modriqit. Modriqi, pavarësisht se është në muzg të karrierës së tij, u nis pas Messit, duke e arritur dhe mbyllur tërësisht. Ai u hodh me këmbën e tij të djathtë, e hoqi topin dhe e përplasi Messin në tokë, ndërsa stadiumi gjëmonte nga kënaqësia.

Golat vendimtarë të Benzemas erdhën pas dy dhe katër minutave. Kur u pyet në një intervistë se cila ishte gjëja e tij e preferuar për të bërë në futboll, Modriqi nuk tha të shënonte, të pasonte apo të driblonte.

“Të ndërhyjë”, u përgjigj ai me një buzëqeshje. “Gjithçka më jep gëzim, por ndonjëherë një ndërhyrje mund të jetë një pjesë e rëndësishme e një ndeshjeje. Kur e bën atë, ndihesh mirë”.

Modriqi ka një ndjenjë se si të ndryshojë një ndeshje. Ai mund të zgjojë shokët e tij të skuadrës me një sfidë ose një vrapim dhe t'i mbrojë ata me pasimet dhe zotërimin e tij. Në momentet më të vështira, ai përparon.

“Atë që bën Modriqi, e bën vetëm Modriqi”, tha muajin e kaluar ish-sulmuesi i Real Madridit, Jorge Valdano. “Kur topi kalon nëpër këmbët e tij, loja rrjedh sikur të ishte gjëja më e lehtë në botë”.

Si adoleshent, skautët në Kroaci i thanë Modriqit se ai ishte shumë i vogël për të arritur në futbollin profesionist, ndërsa Arsene Wenger supozohet se hodhi poshtë mundësinë për ta transferuar te Arsenali për shkak të fizikut të dobët. Në Tottenham, Harry Redknapp mori kohë për t'u bindur që të luante me Modriqin në mesfushën qendrore në vend të krahut dhe në La Liga kundërshtarë të shumtë janë përpjekur ta përçmojnë Modriqin, por në vend të kësaj e gjetën veten duke u “thyer” nga ai.

“Gjithmonë rreth meje ka pasur shumë dyshime, për cilësinë time, stilin tim, fizikun tim”, tha Modriqi. “Ata thanë: ‘Ju jeni shumë i dobët, shumë i brishtë, nuk do të arrini majat’. Por kjo nuk më ndikoi aspak. Thjesht më motivoi edhe më shumë për t'u treguar njerëzve se e kishin gabim”.

Dyshimet për fizikun dhe ashpërsinë e Modriqi mund të jenë fshirë, por lidershipi i tij shpesh neglizhohet ende. Pas eliminimit të PSG-së, një Modriq i emocionuar qarkulloi rreth dhomës së zhveshjes së Real Madridit, duke u përqafuar, duke uruar çdo lojtar, trajner dhe çdokënd që mund të gjente. Ish-trajneri i Realit, Zinedine Zidane, sheh një trajner të ardhshëm në Modriqin.

“Ai është shumë i zgjuar”, tha Zidane vitin e kaluar. “Nëse Luka dëshiron të jetë trajner, ai e ka brenda tij këtë zeje, ai e njeh futbollin. Nëse do, ai do të jetë trajner i mirë”.

Dhe ka një avantazh më të vështirë për Modriqin që Zidane e kishte gjithashtu si lojtar. Kur Reali mundi Barcelonën në prill të vitit të kaluar, ishte Modriqi që po përballej me Gerard Pique-n, ndërsa mbrojtësi u largua për t'u grindur me gjyqtarët.

“A do të shkosh të ankohesh tani?” pyeti Modriqi. “Katër minuta kohë shtesë?”, u përgjigj Pique. “Sa kohë dëshironi?”, shtoi kroati gjatë fjalosjes me spanjollin.

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, mund ta kishte Modriqin nëse Barcelona do të kishte vepruar më me vendosmëri në interesin e saj në vitin 2008. Në vend të kësaj, Modriqi kaloi te Tottenhami, ekip për të cilin luajti prej vitit 2008 deri në vitin 2012. Në njëfarë mënyre, stili i tij mund të kishte qenë edhe më i përshtatshëm për Barcelonën e Andres Iniesta dhe Xavi Hernandezit, dy ikona të lojës së futbollit. Modriqi i ka tejkaluar edhe ata tani, për t'u bërë mesfushori më i mirë i gjeneratës së tij.