Garuesi ukrainas në kërcime në ujë, Stanislav Oliferchyk, mban me krenari emrin e gjyshit të tij të ndjerë, i cili vdiq në Mariupolin e rrënuar nga luftimet. Trupat ruse e kthyen qytetin port të Ukrainës në një zonë vrasjeje gjatë pushtimit të tij. Plaku Stanislav nuk mund të merrte më trajtimin e kancerit që i nevojitej, derisa ishte në gërmadha, thotë nipi i tij. Ai ishte 74 vjeç kur vdiq tetorin e kaluar. Një tjetër “viktimë” e rrethimit njëmujor rus të Mariupolit ishte qendra e shndritshme e sporteve ujore. Oliferchyk kishte planifikuar të përdorte kompleksin e rinovuar sportiv si bazë stërvitore për Lojërat Olimpike të Parisit 2024. Por ajo u bombardua marsin e kaluar, në të njëjtën ditë me teatrin e qytetit. Sulmi ajror ndaj teatrit ishte sulmi më vdekjeprurës kundër civilëve deri më tani gjatë pushtimit rus njëvjeçar. Një hetim zbuloi se rreth 600 njerëz vdiqën.
Pra, nuk duhet shumë për të kuptuar pse Oliferchyk, i lindur në Mariupol, është i tmerruar nga ideja se atij dhe sportistëve të tjerë ukrainas të traumatizuar nga lufta, mund t'u duhet të lënë mënjanë zemërimin dhe ndërgjegjen dhe të garojnë kundër sportistëve nga Rusia dhe Bjellorusia në Olimpiadën e vitit të ardhshëm.
“Jam i zemëruar shumicën e kohës. Thjesht nuk mund të duroj më kur të ndodhin granatimet”, tha 26-vjeçari Oliferchyk, kampion evropian i vitit 2019. “Unë dua që Rusia të na lejojë të jetojmë në paqe dhe të qëndrojë larg nesh”.
Duke sfiduar zemërimin nga Ukraina dhe dyshimet nga vendet e tjera, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) po shqyrton nëse do t'i lejojë rusët dhe bjellorusët të kthehen në sportin ndërkombëtar dhe në Lojërat e Parisit. IOC-ja thotë se është e detyruar të promovojë unitetin dhe paqen – veçanërisht kur lufta është e ndezur. Po ashtu citon ekspertë të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara të cilët argumentojnë, mbi baza jodiskriminuese, se sportistët dhe gjyqtarët sportivë nga Rusia e Bjellorusia nuk duhet të ndalohen thjesht për pasaportat që ata mbajnë.
Për sportistët ukrainas që synojnë Parisin, mundësia e ndarjes së pishinave, fushave dhe arenave olimpike me garuesit rusë dhe bjellorusë është aq e neveritshme sa disa thonë se nuk do të shkojnë nëse kjo ndodh. Motrat Maryna dhe Vladyslava Aleksiiva – të cilat fituan medaljen e bronztë olimpike në garën ekipore të notit artistik në Lojërat Olimpike të Tokios në vitin 2021 – janë ndër ato që thonë se duhet të bojkotojnë Parisin.
Edhe
Stërvitja e vetmuar e olimpistit ukrainas në kohë lufte
“Ne duhet”, tha Maryna, derisa stërvitej në një pishinë në Kiev.
Rusia është gjigante e sportit të tyre, i quajtur më parë noti i sinkronizuar, pasi ka fituar të gjitha medaljet e arta në gjashtë Olimpiadat e fundit.
Duke plotësuar fjalitë e njëra-tjetrës, binjaket ukrainase shtuan: “Ndjenjat tona morale nuk na lejojnë të qëndrojmë pranë këtyre njerëzve”.
Oliferchyk shqetësohet se armiqësia mund të përhapet nëse ukrainasit ndeshen me rusët dhe bjellorusët në Paris. Është një skenar i mundshëm duke pasur parasysh që olimpistët do të akomodohen dhe do të ushqehen së bashku në komplekset në periferitë veriore të qytetit.
“Çdo gjë mund të ndodhë, madje edhe një luftë”, tha Oliferchyk. “Thjesht nuk mund të ketë shtrëngime duarsh mes nesh”.
Stërvitja në mes të luftës gjithashtu i vë në disavantazh kandidatët olimpikë të Ukrainës. Sulmet ruse kanë shkatërruar vendet e stërvitjes. Sulmet ajrore prishin seancat stërvitore. Sportistët kanë humbur anëtarët e familjes dhe miqtë. Për shkak se pushtimi rus i Ukrainës ka mbyllur hapësirën ajrore të vendit, udhëtimi në garat ndërkombëtare është bërë një mision i mundimshëm. Shpesh ka udhëtime të gjata me tren drejt Polonisë fqinje, për fluturimet prej andej.
“Sportistët tanë stërviten ndërsa raketat fluturojnë, bombat fluturojnë”, tha ministri ukrainas i Sportit, Vadym Guttsait.
Edhe
Vritet olimpisti i parë në luftën në Ukrainë
Ai kujtoi një takim në të cilin mori pjesë, midis presidentit të IOC-së, Thomas Bach dhe çiklistëve ukrainas të strehuar në Zvicër. Sipas tij, Bach e pyeti njërin prej tyre si ndihet, ndërsa çiklisti ia plasi vajit duke i bërë me dije se po atë ditë forcat ruse kishin sulmuar qytetin e tij, ku ishin të strehuar prindërit.
Ekipi i notit artistik i Ukrainës, përfshirë motrat Aleksiiva, stërvitej në qendrën sportive Lokomotiv në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i vendit. Një sulm rus me raketa shkatërroi kompleksin në shtator.
Maryna Aleksiiva tha se ato e mendonin qendrën sportive si “shtëpi të dytë”. Pishina zëvendësuese në Kiev nuk ka të njëjtën thellësi, duke e bërë më pak të përshtatshme për të praktikuar akrobacitë nënujore, thanë motrat. Energjia elektrike ndalet nganjëherë.
Rusia ka bombarduar sistematikisht infrastrukturën e energjisë elektrike të Ukrainës prej muajsh.
“E kemi shumë të vështirë jo vetëm për shkak të kushteve por edhe lajmeve dhe ndihemi të shqetësuara për familjet tona”, shtoi Maryna.
Oliferchyk tha se nuk mund të imagjinojë një shtrëngim duarsh mes sportistëve ukrainas dhe rusë për “50, 100 vjetët e ardhshëm”.
Edhe
Ukraina u kërkon sportistëve të shmangin kontaktet me rusët e bjellorusët
Ideja e IOC-së për rusët dhe bjellorusët do t'i shihte ata të garonin si “atletët neutralë”, pa flamuj kombëtarë, ngjyra apo himne. Kjo ide nuk është fillestare për ministrin e sportit të Ukrainës dhe sportistët janë të pakënaqur që olimpistët e mundshëm nga Rusia dhe Bjellorusia nuk po mbajnë qëndrim kundër pushtimit.
“Ata thjesht nuk bëjnë asgjë dhe nuk thonë asgjë. Dhe pikërisht për shkak të heshtjes dhe mosveprimit të tyre i gjithë ky tmerr po ndodh”, tha Oliferchyk. “Një flamur neutral nuk është opsion”.