Sport

Loriana Kuka shpreson për plasman të mirë në botëror

Me medaljet e bronzta të Distria Krasniqit e Majlinda Kelmendit, ekipi i Kosovës në xhudo ka tejkaluar synimet që kishte për botërorin që po mbahet në Tokio të Japonisë, e që vlerësohet prej më cilësorëve të mbajtur ndonjëherë.

Synimi fillestar i Kosovës ishte medalja. Kosova i fitoi dy medalje me shkëlqim bronzi në dy ditët e para, ndërsa më pas Nora Gjakova e Akil Gjakova, në ditën e tretë, nuk siguruan ngjitjen në podium. Nora u rendit e shtata, ndërsa Akili u ndal në luftën e dytë, shkruan sot Koha Ditore.

Botërori i nisur të dielën e kaluar përfundon të shtunën, ndërsa Kosova garën e fundit e ka të premten (sot). Është Loriana Kuka që garon në kategorinë deri 78 kilogramë. 22-vjeçarja nuk është bartëse, por nuk është as pa gjasa për të hyrë në zonën ku luftohet për medalje. Ajo fitoi medalje të bronztë në Lojërat Evropiane të mbajtura në fund të qershorit në Minsk, si dëshmi për ngritjen e madhe që ka bërë. Hapi i radhës shpresohet të bëhet në botëror, ndonëse medalja vlerësohet të jetë ende synim shumë i madh për të.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)