Sport

Xhudistët kërkojnë medaljet botërore në vendin ku kanë shkëlqyer më parë

Numër rekord prej shtatë garuesish pritet ta përfaqësojë Kosovën në Kampionatin Botëror të xhudos, që mbahet prej 7 deri më 13 maj në Doha të Katarit. 610 xhudistë nga 93 shtete pritet të paraqiten në ngjarjen kryesore të vitit, në sportin ku Kosova ka kohë që qëndron në kulm.

Xhudistët e trajnerit Driton Kuka janë në vlugun e përgatitjeve për Botëror. Si zakonisht para ngjarjeve të mëdha, kryemjeshtri Kuka ka zgjedhur të flasë pak. Fokusin e ka te përgatitja e ekipit.

“Përgatitjet po shkojnë mirë. Konkurrenca është e jashtëzakonshme dhe të shohim se si do të ndahemi”, ka thënë ai për KOHËN.

Distria Krasniqi, Erza Muminoviq, Nora Gjakova, Flaka Loxha, Laura Fazliu, Loriana Kuka e Akil Gjakova janë paraqitur për të garuar në Botëror.

Botërori i xhudos zakonisht mbahet në fund të verës. Por Federata Ndërkombëtare e Xhudos për këtë vit e ka zhvendosur në muajin maj.

Termini është i ri, por vendi ku do të mbahet Botërori është i njohur për ekipin e Kosovës në xhudo. Në Doha prej 11 deri më 13 janar të vitit 2021 ishte mbajtur Mastersi, gara që mbledh vetëm xhudistët më të mirë nëpër kategori. Dhe Kosova ishte shumë e suksesshme. Fitoi një medalje të artë e tri të bronzta, që është bilanc i shkëlqyer për një ekip që megjithatë nuk ka shumë xhudistë në përbërje. Mastersi në Doha ishte shenjë që ekipi ishte në rrugën e duhur për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të mbajtura në verën e vitit 2021, e ku u fituan dy të arta me Distria Krasniqin e Nora Gjakovën.

Në Doha, medalje të artë kishte fituar Distria, ndërsa Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Loriana Kuka kishin fituar medalje bronzi. Akil Gjakova ishte renditur i shtati.

Kosova ishte prej vendeve më të suksesshme. Është hera e vetme që xhudistët e Kosovës kanë garuar në Katarin e njohur për organizimin luksoz të ngjarjeve sportive.

“Prej atëherë shumë ujë ka shkuar nën urë në botën e xhudos. Olimpiada e Tokios u mbajt dhe i takon së kaluarës. Disa xhudistë janë pensionuar, si Majlinda Kelmendi, që ishte e treta në Doha. Të tjerë po punojnë për suksesin në Olimpiadën e Parisit, që mbahet vitin tjetër”, ka shkruar IJF-ja.

Kjo vlen për ekipin e Kosovës në xhudo. Synimi i madh i Norës, Distrisë, Laurës, Lorianës e Akilit është gara në Lojërat Olimpikë “Parisi 2024”. Fillimisht fokusi është te Botërori në Doha, vendin ku Kosova ka shkëlqyer tashmë.