Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Lojtari i ri vdes gjatë stërvitjes personale

Lojtari i ri i Lokomotivës së Moskës, Innokenty Samokhalov ka vdekur të hënën gjatë një stërvitje personale, ka njoftuar klubi i kampionatit rus të futbollit.

Dyshohet se 22-vjeçari ka pasur sulm në zemër.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit skuadra nuk po mban stërvitje, por Samokhalov ka bërë stërvitje individuale.

“Më 20 prill ka vdekur mbrojtësi Innokenty Samokhalov. Futbollisti është sëmurë gjatë një seance stërvitore individuale. Detajet për tragjedinë po sqarohen”, thuhet në komunikatë të klubit.

Samokhalov i është bashkuar Lokomotivës në vitin 2015, por nuk ka bërë asnjë paraqitje në elitën e Rusisë. Ai ka luajtur për ekipin rezervë të Lokomotivës, Kazanka, në kategorinë e tretë.

“Është e tmerrshme. Mjekët na kanë thënë se ka vdekur pasi i ka dështuar zemra”, ka thënë trajneri i Kazankas, Alexander Grishin për RIA. “Nëse mjekët e kanë lejuar të ushtrojnë atëherë ne duhet të vlerësojmë se nuk ka pasur telashe shëndetësore”.