Në ndeshjet e tetorit, Kosova do të hyjë si Përfaqësuesja e 109-të në botë. Pozita e 109-të është më e mira që Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka pasur ndonjëherë në ranglistën e FIFA-s. Në publikimin e fundit të ranglistës, më 16 shtator, shtëpia botërore e futbollit (FIFA), ka shkruar se Kosova ka arritur lartësi të reja.
“Duhet të përmendet e arritura e veçantë e Kosovës, e cila pasi mundi Gjeorgjinë (1:0) dhe barazoi 1:1 me Greqinë, u ngjit në vendin e 109-të. Është pozita më e mirë e Kosovës ndonjëherë”, ka shkruar FIFA.
Pra, Përfaqësuesja e Kosovës, të paktën në ranglistën botërore, është në pozitën më të mirë që ka qenë ndonjëherë. Por, kjo nuk mund të thuhet për lojtarët e Kosovës. Shumica prej tyre as për së afërmi nuk janë në pikën më të ndritur të karrierës.
Këtë, kohë më parë, e ka pranuar edhe Amir Rrahmani, mbrojtësi i qendrës. Rrahmani është prej të paktëve lojtarë të Kosovës që aktualisht po luan me sukses në nivel të lartë.
Ai ka luajtur në pesë prej shtatë ndeshjeve të fundit të Napolit, që është lider në Serie A. Napoli ka fituar të gjitha ndeshjet e deritashme në kampionatin italian. Rrahmani ka kryer detyrat e tij në mbrojtje, ndërsa ka kontribuar edhe me dy gola. Të dielën mbrëma realizoi gol vendimtar në fitoren 2:1 ndaj Fiorentinas.
Vetëm pas ndeshjeve të shtatorit me Kosovën, Rrahmani ka fituar vendin te Napoli.
Elbasan Rashani, po ashtu, po luan në njërën prej top-ligave evropiane, në atë të Francës. Pas paraqitjes me Kosovën në shtator, ai ka luajtur në pesë ndeshje me Clermontin. Ka kompletuar tri prej tyre, ndërsa ka shënuar një gol. Në Ligue 1 ka katër gola në nëntë paraqitje.
Milot Rashica po vuan për të shfaqur vlerat te Norwich City në Premier League. Në tri ndeshjet e fundit është aktivizuar vetëm si zëvendësues. Pra, ka humbur vendin e titullarit te skuadra e fundit në kampionatin anglez. Norwichi vetëm të shtunën e fitoi pikën e parë në këtë edicion. Është pritur më shumë nga Norwichi në shtatë xhirot e para e sidomos nga Rashica, që nuk ka ende gol apo asistim, ndonëse ka luajtur në shtatë takimet e deritashme.
Një tjetër lojtar i rëndësishëm i Kosovës, sulmuesi Vedat Muriqi, po lufton për të dalë në pah te Lazio. Të dielën ishte startues, por Lazio pësoi 3:0 nga Bologna. Të enjten luajti në Ligën e Evropës, por pa shfaqur shumë. Në gjashtë paraqitje në Serie A, Muriqi nuk ka shënuar gol e nuk ka bërë asistim.
Një tjetër shpresë për sulmin, Astrit Selmani, nuk ka shënuar në katër ndeshjet e fundit për Hammarbyn në Suedi. Kampionati suedez vlerësohet mesatar. Selmani ndeshjen e fundit e ka shënuar në fund të gushtit. I ka katër gola e gjashtë asistime në 21 paraqitje në Allsvenskan.
Sulmuesi i krahut, Lirim Kastrati, luajti një pjesë për Legia Varshavën të dielën. Legia humbi 3:1 nga Lechia Gdansk në kampionatin polak. Kastrati në kampionat nuk ka gola e asistime në katër paraqitje. Ka një gol në Ligën e Evropës dhe një në ndeshjet për Kupën e Polonisë.
Vetëm rezervist në kampionatin polak është mesfushori Florian Loshaj. Ai të shtunën luajti vetëm pjesën e dytë për Cracovian që barazoi 3:3 me Stal Mielecun. Ndonëse ka nëntë paraqitje kampionale, Loshaj është në pritje për gol apo asistim. Dhe kampionati polak për nga cilësia është prapa me top-ligat evropiane. Rrjedhimisht, për ngritje niveli te Kosova lojtarët nga ky kampionat do të duhej të luanin rregullisht, startues dhe të asistonin apo të shënonin gola.
Në Turqi, Zymer Bytyçi starton rregullisht te Konyaspori. Në shtatë paraqitje i ka dy asistime.
Ibrahim Dresheviq është prej pak lojtarëve që mund të mburret për konsistencë. Ai është i pazëvendësueshëm te Heerenveeni holandez. Në skuadër luan në qendër të mbrojtjes.
Sa i takon portierëve, Arijanet Muriq në katër ndeshjet e fundit nuk i është ndarë stolit te Adana Demirspor në Turqi. Ndërkohë, Samir Ujkani ndërron skuadrat, por stolit nuk i ndahet. Vetëm rezervist është edhe tek Empoli, ku nuk është paraqitur ende.
Vendin në skuadër e ka humbur Mërgim Vojvoda, që po luan fare pak te Torino. Të shtunën ishte vetëm në stol, ndërsa në ndeshjen e parafundit u aktivizua vetëm në pjesën e dytë. I ka vetëm tri paraqitje këtë edicion.
Mbrojtësit e qendrës, Fidan Aliti, Betim Fazliji e Mirlind Kryeziu janë të rregullt për skuadrat e tyre në Superligën e Zvicrës. Probleme me aktivizim nuk ka as Florent Hadërgjonaj te Kasimpasha në Turqi.
Në një ligë inferiore luan Besar Halimi. Ai është te Riga në Letoni. Të shtunën ishte vetëm në stol, në ndeshjen e parafundit nuk ishte në skuadër fare. I ka vetëm tri paraqitje në kampionat, ndërsa e ka realizuar një gol. Por, ka realizuar më 25 korrik.
Minutat janë të lakmuar edhe për Florent Muslijën që është pjesë e Hannoverit në Bundesliga 2. Të shtunën luajti katër minuta. Ndonëse ofensiv, Muslija në tetë paraqitje nuk ka gol apo asistim.
Bersant Celina ka tri asistime në dy ndeshjet e fundit. Por, ai po paraqitet vetëm në kategorinë e tretë angleze.
Prej mbrojtësve rregullisht po luan edhe Lirim Kastrati, tek Ujpesti hungarez. Madje ai të shtunën shënoi gol. Por, Kastrati nuk është prej zgjedhjeve të para te Kosova, sa i takon mbrojtjes.
Sa i takon Herolind Shalës, ai po ka mungesë hapësire edhe tek Erzurumi i kategorisë së dytë turke. Të dielën luajti vetëm dy minuta. David Domgjoni është rezervist i rregullt te Luzerni. I ka vetëm tri paraqitje deri më tani në Superligën e Zvicrës. “Virusi” i mosaktivizimit e mundon edhe ardhjen e re, Toni Domgjonin. Ai në gjashtë ndeshjet e fundit të Vitesses holandeze, ishte vetëm në stol. Ka vetëm dy paraqitje kampionale. Visar Bekaj është portieri i parë te Tirana, por vetëm i treti te Kosova. Dhe, kjo nuk pritet të ndryshojë.
Pra, para ndeshjeve të këtij muaji me Suedinë dhe Gjeorgjinë, gjendja e shumë prej lojtarëve të Kosovës lë për të dëshiruar. Në krahasim me periudhën para ndeshjeve të shtatorit, pak gjëra kanë ndryshuar për të mirë, sa i takon gjendjes së lojtarëve në skuadrat e tyre.
“Duhet të përkushtohemi maksimalisht dhe të shpresojmë që secili nga ne të arrijë të luajë sa më shumë në ekipet e tyre. Duhet që fillimisht të rritemi si lojtarë në ekipet tona dhe bashkërisht ta përcjellim këtë rritje te Kosova. Vetëm kështu mund të rritemi edhe më shumë”, ka thënë Rrahmani ditë më parë për KOHËN.