Sport

Lojërat Evropiane hapen të mërkurën, atletët garojnë të martën

Ceremonia hapëse e edicionit të tretë të Lojërave Evropiane është të mërkurën. Por garat në Krakow dhe Malopolska të Polonisë fillojnë të martën. Të martën garohet në hendboll në rërë dhe në atletikë.

Në hendboll në rërë, Kosova nuk ka përfaqësues. Por ka shumë përfaqësues në atletikë. Disa prej atletëve kosovarë do të garojnë menjëherë të martën. Ekipi i Kosovës në atletikë të dielën ka udhëtuar për në Poloni.

Ngjarja e atletikës në Lojërat Evropiane shërben si kampionat ekipor i atletikës për vitin 2023. Kampionati ekipor evropian është i ndarë në tri divizione. Në divizionin e parë garojnë përfaqësueset më të mira evropiane. Kosova është në divizionin e tretë, të fundit, së bashku me Shqipërinë, Andorrën, Armeninë, Austrinë, Azerbajxhanin, Bosnjë-Hercegovinën, Gjeorgjinë, Irlandën, Izraelin, Maltën, Maqedoninë e Veriut, San Marinon dhe Asociacionin e Shteteve të Vogla të Evropës, që përbëhet nga atletë të Gjibraltarit, Lihtenshtajnit dhe Monacos.

Garat e Divizionit të tretë zhvillohen të martën, të mërkurën dhe të enjten paradite. Medaljet e atletikës që janë të vlefshme për Lojërat Evropiane ndahen pasi të përfundojnë garat në Divizionin e parë, që janë prej 23 deri më 25 qershor.

Plot 22 atletë do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Evropiane. Kosova ka gjithsej 37 sportistë në ngjarjen kontinentale. Ata do të garojnë në tetë sporte. Pos në atletikë, Kosova e kërkon suksesin edhe në boks, kajakim, shenjëtari sportive, taekwondo, shigjetari, çiklizëm malor dhe teqball.

Lojërat e para Evropiane ishin mbajtur në Baku të Azerbajxhanit në vitin 2015. Nora Gjakova kishte fituar medalje të bronztë. Në “Minsk 2019”, medalje kishin fituar Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Loriana Kuka. Në Poloni nuk do të jenë xhudistët dhe kështu medaljet kërkohen në sportet e tjera, para së gjithash në boks.

Në Krakow dhe Malopolska pritet të garojnë mbi 7000 sportistë. Do të garohet në 29 sporte të ndryshme.