Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Loewi e fton Muellerin për “Euro 2020”

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Joachim Loew edhe zyrtarisht e ka kontaktuar sulmuesin e Bayern Munichut, Thomas Muellerin, të cilin pritet ta ftojë për “Euro 2020”, kanë njoftuar mediumet gjermane të martën.

“Bild” ka shkruar se Loew tashmë e ka njoftuar Muellerin se do ta përfshijë në listën e tij prej 26 futbollistëve për Kampionatin Evropian, të cilën do ta bëjë publike në fund të këtij muaji.

Mueller 31-vjeçar këtë edicion ka treguar një formë fantastike te Bayerni duke shënuar 15 gola dhe asistuar 22 herë në 44 paraqitje në të gjitha garat.

Mueller nuk është ftuar te Gjermania prej fillimit të vitit 2019 kur Loew e pati njoftuar se nuk është në planet e tij së bashku me Jerome Boatengun e Mats Hummelsin për shkak se po planifikon rindërtimin e ekipit pas debaklit në Botërorin “Rusia 2018”.

Mueller ka 100 paraqitje dhe 38 gola të shënuar për Gjermaninë, me të cilën pati fituar titullin e botës në vitin 2014. Ai te Gjermania ka debutuar në vitin 2010.