Sport

Lodhja e lojtarëve, shqetësim i madh për finalen e Championsit

Për një lojtar që nuk e konsideron veten sulmues, Mohamed Salahun e kanë zili shumë sulmues për bilancin e tij të golave të shënuar për Liverpoolin.

“Unë nuk luaj si numër 9, unë luaj në krah”, tha Salah. “Është krejtësisht ndryshe kur luan anësor”.

Megjithatë, egjiptiani hyn në finalen e Ligës së Kampionëve, të shtunën, me 31 gola të shënuar në 50 ndeshje këtë edicion dhe si golashënuesi kryesor në futbollin anglez. Një shifër mbresëlënëse për Salahun, por i eklipsuar nga numri 9 i vërtetë që Real Madridi do t'i drejtohet për gola në stadiumin “Stade de France”.

Numri i golave të shënuar nga Karim Benzema këtë edicion është 44 në 45 ndeshje. Ndoshta ka mundur të jetë edhe më i madh.

Pika kulmore e edicionit evropian të klubeve mund të përcaktohet fare mirë nga kush është më pak i lodhur, pas një periudhe dyvjeçare të orareve të ndikuara nga koronavirusi dhe me fare pak pushime. Aq i madh është shqetësimi për ngarkesën e lojtarëve sa që anëtarët e sindikatës së futbollistëve mblidhen po në Paris për ta diskutuar këtë çështje.

“Është padyshim periudha e vitit kur lojtarët janë me të vërtetë të përqendruar në fitore”, tha sekretari i përgjithshëm i FIFPRO-s, Jonas Baer-Hoffmann. “Jam i sigurt se ata do të marrin të gjithë energjinë e tyre për të luajtur një ndeshje të mirë të shtunën, por ata do ta paguajnë përfundimisht. Është vërtet shqetësues për ne në këtë moment. Ekziston rreziku i lëndimit tani, por rreziku shfaqet edhe në planin afatgjatë”.

Benzema, i cili në moshën 34-vjeçare është pesë vjet më i vjetër se Salah, ka dalë në fushë 52 herë që nga gushti për Realin dhe Francën. Duke shtuar udhëtimin në Kupën e Afrikës në janar, Salah dhe sulmuesi i Senegalit, Sadio Mane, do të luajnë ndeshjen e 70-të të edicionit. Liverpooli ka luajtur çdo ndeshje të mundshme këtë edicion dhe secila ishte e rëndësishme dhe me rrezik të lartë për lojtarët. Premier Leaguen e humbi në xhiron e fundit, me Manchester Cityn që fitoi titullin me një pikë më shumë, por triumfoi në Kupën FA dhe Kupën e Ligës.

Real Madridi kishte luksin të fitonte ligën spanjolle katër ndeshje para fundit, apo një muaj më parë. Shpresat e Carlo Ancelottit për një kupë tjetër vendase përfunduan me një humbje në çerekfinale të Kupës së Spanjës në muajin shkurt.

“Nuk mendoj se do të vuajmë. Ne kemi pasur një përgatitje të plotë prej një jave”, tha mbrojtësi i Liverpoolit, Andy Robertson. “Spanjollët kanë pasur përgatitje pak më të qetë. Ata përfunduan ligën herët dhe kanë qenë në gjendje të relaksohen dhe të mos luajnë aq shumë lojëra në ritmin më të lartë. Ne donim të luftonim për gjithçka dhe e dinim se çfarë do t’i bënte kjo trupit tonë”.

Juergen Klopp është në kërkim të trofeut të tretë këtë edicion me Liverpoolin. Publikisht, të paktën, Ancelotti nuk po flet për përpjekjet për të shfrytëzuar lodhjen e Liverpoolit.

“Nëse po flasim për një perspektivë fizike, ne po luajmë kundër një skuadre që është ndër më të mirat në botë në këtë drejtim”, tha Ancelotti. “Shto kësaj edhe cilësinë e jashtëzakonshme individuale, një sulm të fortë dhe organizim të mirë. Nuk mendoj se ana fizike e gjërave do ta përcaktojë rezultatin, do të jetë e rëndësishme, por ka shumë elementë të tjerë për t'u vlerësuar”.

Golat e paharruar të Gareth Balet siguruan Kupën e fundit evropiane të Realit, por shanset që ai të luajë të shtunën janë të pakta. Në atë finale të vitit 2018, Reali e mposhti pikërisht Liverpoolin.

Sulmuesi uellsian është lojtar që mund të frustrohet vetëm nga koha e tij e kufizuar e lojës dhe jo nga ngarkesa e tepërt e punës gjatë edicionit të fundit. Lojtari më i shtrenjtë në botë, nga koha kur u transferua te Reali në vitin 2013, Bale, ka luajtur vetëm 13 herë këtë edicion. Gjashtë prej paraqitjeve ishin për Uellsin.

Për të tretin vit radhazi, UEFA u detyrua ta ndryshojë vendin e finales. Këtë herë jo për shkak të pandemisë, por për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Është një kthim në Paris për Liverpoolin, ku mundi Realin në finalen e vitit 1981, kur gara elitare ishte ende e njohur si Kupa Evropiane.